Një 22-vjeçar është shoqëruar mbrëmjen e së mërkurës nga Policia e Tiranës, i dyshuar si bashkëpunëtor në ekzekutimin e 40-vjeçarit Hekuran Billa.
Bëhet fjalë për një të ri i cili ka lidhje familjare me Prel Markun, i vrarë në 2006-n nga Billa në Angli.
Identifikimi i 22-vjeçarit, emri i të cilit për momentin nuk bëhet i ditur, mësohet se është bërë nga kamerat e sigurisë. Ai dyshohet se e ka ndjekur viktimën dhe ka lajmëruar atentatorët për lëvizjet e tij.
Shoqërimi i të dyshuarit vjen pas një operacioni të gjerë të zhvilluar nga autoritetet policore gjatë pasdites të së mërkurës në Tiranë, Durrës e Shkodër.
Ndërkohë, policia vijon kërkimet për vëllain e Prel Markut, Viktor Marku. Ky i fundit dyshohet të ketë hyrë në Shqipëri ilegalisht nga Mali i Zi, një ditë para vrasjes së Hekuran Billës. Megjithatë nuk ka ende informacion nëse ka kaluar apo fshihet brenda territorit shqiptar.
Dy ditë pas vrasjes së Hekuran Billës, i cili u ekzekutua mbrëmjen e 11 qershorit në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, policia ngriti disa pista hetimi, por kryesorja mbetet ajo e hakmarrjes.





