“Kemi punën e ëndrrave tuaja!” Ky është përshkrimi që transmetuesi televiziv amerikan “Fox Sports” ka zgjedhur për një nga njoftimet më të çuditshme për punë: kryevëzhgues i Botërorit.Puna në praktikë konsiston te të parit e të gjitha minutave të të 104 ndeshjeve të Kupës së Botës brenda një “kubi xhami të pozicionuar në zemër të Times Square, në New York, përpara mijëra njerëzve”.

Një “punë” që shumë të apasionuar pas futbollit do të ishin të gatshëm ta bënin edhe falas, ndërsa broadcaster-i amerikan i Botërorit ka menduar një pagë goxha të mirë: 50.000 dollarë. Personi i përzgjedhur do ta fillojë punën më 6 qershor dhe duhet të filmojë e krijojë përmbajtje që kanë të bëjnë me ndeshjet për rrjetet sociale të kanalit sportiv amerikan, që specifikon se “personazhe të njohur dhe legjenda të sportit do të shohin një ndeshje në kub”.