Një mjet detar pa pilot është zbuluar pranë Kepi Doukato, duke ngritur dyshime dhe shqetësim te autoritetet greke.
Sipas mediave greke, mjeti u pikas nga peshkatarë të zonës së Vasiliki, të cilët e gjetën brenda një shpelle me motorin ende në funksion.
Bëhet fjalë për një USV, një anije sipërfaqësore pa pilot, e pajisur me sensorë, antena dhe sisteme komunikimi të teknologjisë së avancuar. Këto mjete përdoren zakonisht për qëllime ushtarake, mbikëqyrje, mbledhje informacioni apo operacione speciale.
Ende nuk dihet origjina e mjetit dhe as misioni i tij. Autoritetet po hetojnë nëse droni detar ka hyrë në ujërat greke gjatë ndonjë stërvitjeje ushtarake apo në rrethana të tjera.
Peshkatarët e lidhën mjetin dhe e transportuan drejt portit të Vasilikisë, ndërsa më pas ndërhyri Roja Bregdetare Greke, e cila mori në dorëzim mjetin për verifikime të mëtejshme.
Sipas raportimeve, për rastin janë njoftuar edhe shërbimet sekrete ushtarake greke, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar prejardhjen dhe funksionin e pajisjes së zbuluar.





