Këshilli i Integrimit në Bashkimin Europian është mbledhur këtë të premte, më 8 maj, ku në fokus të diskutimit është ecuria e procesit të negociatave të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.

Në hapje të mbledhjes, kryenegociatorja për integrimin europian, Majlinda Dhuka, deklaroi se pas çeljes së negociatave për anëtarësim, Shqipëria ka hyrë në një fazë të re, më të avancuar dhe më kërkuese të procesit integrues.

“Sot Shqipëria ndodhet në një moment kyç”, u shpreh Dhuka, duke theksuar se kjo është “faza më e rëndësishme” drejt bërjes së vendit anëtar të Bashkimit Europian dhe pjesë e tregut europian.

Gjatë fjalës së saj, Dhuka nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së gjithë shoqërisë shqiptare në këtë proces, përmes dijes, advokacisë dhe kërkesës për përmirësim të standardeve.

Sipas saj, integrimi europian është një projekt i përbashkët kombëtar, me synim përfshirjen e Shqipërisë në tregtinë, ekonominë dhe investimet europiane, si edhe garantimin e të drejtave, lirive dhe mbrojtjes sociale për qytetarët shqiptarë njësoj si qytetarët europianë.

Dhuka e konsideroi hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave brenda një periudhe 13-mujore jo thjesht një arritje të rëndësishme institucionale, duke shtuar se projekti europian tashmë: “Më shumë se aspiratë, është projekti ynë i përbashkët europian”.

“Këto janë ditët, muajt dhe vitet e mundësisë sonë të madhe, por edhe të përgjegjësisë sonë të madhe”, theksoi kryenegociatore.

Sipas Dhukës, sfida e radhës për Shqipërinë nuk është vetëm hapja e kapitujve të negociatave, “por mbyllja e tyre me dinjitet, cilësi dhe në mënyrë të pakthyeshme drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian”.

“Po punojmë intensivisht të mbyllim kapitujt.”, shtoi ajo.