Rexhep Ismaili, 66-vjeçari i cili një ditë më parë u ekzekutua me armë zjarri në ambientet e lokalit të tij ka qenë edhe pjesë e strukturave drejtuese të Partisë Demokratike në Sarandë.
Deputetja e këtij qarku, Ina Zhupa shprehet e tronditur për ngjarjen, ndërsa thotë se PD humbi një drejtues të strukturave të saj, një kontributor të palodhur dhe një bashkëpunëtor të vyer.
Zhupa shkruan se Rexhepi drejtonte gjithashtu shoqatën “Çamëria” dhe ishte një zë i fortë në mbrojtje të kauzave kombëtare.
Ligjvënësja demokrate pret nga policia dhe institucionet përgjegjese që të zbardhin ngjarjen, ndërsa autorët e krimit të vendosen para drejtësisë.
“E tronditur thellë nga lajmi për vrasjen e Rexhep Ismailit. Një njeri me vlera dhe një patriot i përkushtuar.
Partia Demokratike humbi një drejtues të strukturave të saj, një kontributor të palodhur dhe një bashkëpunëtor të vyer. Rexhepi drejtonte gjithashtu shoqatën “Çamëria” dhe ishte një zë i fortë në mbrojtje të kauzave kombëtare.
Kjo ngjarje e rëndë ka sjellë dhimbje dhe tronditje te të gjithë ne që e njohëm.
Pres që institucionet ligjzbatuese, Policia e Shtetit dhe Prokuroria, të veprojnë me përgjegjësi të plotë për zbardhjen sa më të shpejtë të kësaj vrasjeje dhe vendosjen e autorëve përpara drejtësisë.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe gjithë atyre që e njohën dhe e vlerësuan Rexhep Ismailin. U prehtë në paqe”, shkruan Ina Zhupa.





