Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dalë në një konferencë për mediat, ku po flet për raportin e Parlamentit europian për progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit.
Gjatë fjalës së tij, duke iu referuar raportit, Berisha tha se aty theksohet se “gjysma e fëmijëve shqiptarë janë në rrezik varfërie dhe qeveria nuk po merr asnjë masë”.
Ai e konsideroi këtë si një nga “lajmet më të zeza që vjen nga Brukseli”.
Sipas tij, janë 8 rezoluta nga vjeshta e vitit 2024 gjer sot, që denoncojnë gjendjen dramatike në Shqipëri.
Lideri demokrat u ndal në disa pika të raportit, duke u shprehur i bindur se ai konfirmoi se zgjedhjet elektorale të 11 majit të vitit të shkuar, ishin një “farsë elektorale“.
Sipas Berishës, raporti i PE-së sanksionon “përjashtimin e opozitës nga procesi i integrimit, përjashtimin e qytetarëve nga procesi i integrimit” dhe “paralajmëron se parlamenti duhet të jetë forumi qendror i këtij procesi”.





