Kryeministri Edi Rama deklaroi se programi “EU4Municipalities II” është një instrument i rëndësishëm për modernizimin e institucioneve vendore dhe rritjen e kapaciteteve njerëzore në bashkitë shqiptare.
Gjatë fjalës së tij në aktivitetin e nisjes së programit, Rama tha se sfida më e madhe aktuale mbetet forcimi i burimeve njerëzore në administratën vendore.
Kryeministri theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Europian është një mundësi e madhe për Shqipërinë, por njëkohësisht edhe një sfidë për nivelin vendor të qeverisjes.
“Ky program është një program i cili lidhet me modernizimin e institucioneve tona vendore dhe me mundësinë që përmes tij institucionet të rrisin kapacitetet e tyre njerëzore që janë edhe problemi ynë më i mprehtë i kësaj kohe dhe i kohëve që vijnë në rast se nuk fokusohemi me të gjithë forcë sot tek adresimi i tyre.
Dua të them që BE dhe anëtarësimi në familjen evropianë janë bekim për Shqipërinë, por edhe një sfidë e madhe në nivelin vendor, pasi konsolidimi i nivelit të qeverisjes vendore është pjesë e pa ndarë dhe e patjetërsueshme e mënyrës së funksionimit dhe për mirëfunksionimit të marrëdhënive mes BE dhe një vendi anëtar.
Një pjesë e konsiderueshme e mbështetjes evrop[iane për vendet anëtare lidhet me mbështetjen për nivelin vendor. Një sfidë e konsiderueshme për vendet anëtare është që të kenë aftësinë të thithin mbështetjen e BE përmes dijes sesi ta bëjnë këtë dhe në këtë pikë ky program është kyç. Nuk janë 11 mln eurot e para thjesht si një shumë, por është i gjithë instrumenti dhe mënyra si është ndërtuar që duhet ti bëjë të gjitha bashkitë, jo vetëm të interesuara, por edhe të angazhuara që të kenë akses në këtë instrument. Kam besim se me mbështetjen e aktorëve në këtë proces, ne do bëjmë më të mirën dhe të nxjerrim nga ky potencial maksimumin e mundshëm për të gjitha bashkitë tona”, tha Rama.
Rama ndaloi te problematika e dixhitalizimit në nivel vendor, duke theksuar se ekziston një diferencë e madhe mes shërbimeve dixhitale në administratën qendrore dhe atyre në bashki. Ndërsa me ironi, Rama përmendi edhe administratën gjermane, duke thënë se “akoma punojnë me faks nëpër ministri në Gjermani”.
“Dua ta mbyll me komponentin që është më strategjik në qeverisjen e vendeve dhe ka peshë në qeverisjen qendrore, por që për arsye që për mua janë të kuptueshme, ose edhe të tjera që unë mbase nuk i kuptoj, në nivelin vendor është shumë i dobët dhe ky është dixhitalizimi. Kemi një diferencë të papranueshme, të pajustifikueshme mes peshës që ka dixhitilizimi në nivelin qendror dhe në shërbimet publike qendrore dhe peshës që ka në nivelin vendor dhe në shërbimet vendore. Arsyet mbase i kuptoj, të tjera mbase nuk i kuptoj. Kemi folur me ministrin, do flasim edhe me përfaqësinë e BE, edhe me partnerët gjermane, edhe pse partnerët gjermane në dixhitalizim janë prapa nesh…po akoma punojnë me faks nëpër ministri në Gjermani. Përtej shakasë, do gjejmë mënyrën për të adresuar këtë problem të dixhitalizimit”, deklaroi kreu i qeverisë.
Një mesazh kishte edhe për kryebashkiakët:“Duke iu drejtuar kryetarëve të bashkive unë ju them “bëni më të mirën që ta përdorni këtë projekt jo si mundësi financimi, por si mundësi për të krijuar një eksperiencë, për të fuqizuar kapitalin njerëzor, për të përgatitur brenda bashkive akoma më mirë ato bërthamat e vogla që keni filluar të ngrini. Ky projekt është i pazëvendësueshëm”.





