Drejtori i Policisë së Vlorës, Elidon Çela, në një konferencë për shtyp këtë të premte ku ka treguar dinamikën e ngjarjes së rëndë të ndodhur në Sarandë, ku mbeti i vrarë 66-vjeçari Rexhep Ismaili dhe u plagos në këmbë 31-vjeçari Kostandin Vogli.
Sipas tij, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30 të datës 07.05.2026, në fshatin Gjashtë, në ambientet e lokalit në pronësi të Rexhep Ismailit.
“Fillimisht, në vendngjarje kanë shkuar Lulzim Tabaku, Idriz Çela, Eljo Muço, Kostandin Vogli, Marjo Agalliu dhe Ermal Shkalla, të cilët janë afruar te tavolina ku ndodheshin viktima Rexhep Ismaili, së bashku me Tori Ruçin dhe persona të tjerë, dhe menjëherë ka nisur një konflikt i dhunshëm me sende të forta.
Gjatë konfliktit, viktima Rexhep Ismaili ka marrë një armë zjarri automatike dhe ka qëlluar në drejtim të personave të përfshirë në sherr.
Më pas, Lulzim Tabaku ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të Rexhep Ismailit, i cili ka humbur jetën në vendngjarje. Gjatë shkëmbimit të zjarrit është plagosur në këmbë edhe Kostandin Vogli.
Pas ngjarjes, të gjithë personat e përfshirë janë larguar nga vendi i ngjarjes. Hetimet tregojnë se Hajredin Ismaili, vëllai i viktimës, ka marrë armën automatike dhe një krehër me 21 fishekë dhe i ka fshehur, por më pas ato janë gjetur dhe sekuestruar nga policia.
Policia ka sekuestruar gjithashtu një automjet tip “Audi Q8”, fishekë dhe gëzhoja të kalibrave të ndryshëm, si dhe prova të tjera materiale që po shërbejnë për hetimin.
Gjatë kontrolleve, në fshatin Nivicë është gjetur i braktisur një motomjet që dyshohet se është përdorur nga autorët, ndërsa në lagjen nr. 1 të Sarandës është sekuestruar edhe një automjet tjetër tip “Audi” i përdorur në ngjarje.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim Lulzim Tabakun, për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje, si dhe Idriz Çelën, Eljo Muçon, Kostandin Voglin, Marjo Agalliun dhe Ermal Shkallën, për veprat penale kanosje dhe shkatërrim prone. Gjithashtu është proceduar penalisht edhe Hajredin Ismaili.
Htimet vijojnë intensivisht për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim”, tha Çela.





