Teuta mori një pikë me shumë peshë në përballjen ndaj Flamurtarit, falë një supergoli të sulmuesit Muço Boçi. Në një ndeshje të luftuar deri në sekondat e fundit, sulmuesi durrsak u kthye në heroin e ekipit, duke realizuar një gol spektakolar që riktheu baraspeshën dhe mbajti gjallë objektivat e skuadrës. Pas sfidës, Boçi foli mbi emocionet e realizimit, forcën e grupit dhe duelin vendimtar të javës së fundit ndaj Egnatias.
Muço, një gol shumë i bukur dhe një pikë e rëndësishme për Teutën. Si e përjetove atë moment?
Ishte një emocion i madh, sepse erdhi në një moment të vështirë për skuadrën. Besuam deri në fund dhe fatmirësisht arrita të shënoj. Mbi të gjitha jam i lumtur që goli vlejti për të marrë një pikë shumë të rëndësishme.
Ishte një realizim spektakolar. E kishe menduar goditjen në atë mënyrë?
Në ato momente gjithçka ndodh shumë shpejt. Pashë hapësirën dhe vendosa të godas menjëherë. Për fat topi shkoi aty ku duhej. Janë gola që të japin shumë kënaqësi, sidomos kur ndihmojnë ekipin.
Sa e vështirë ishte përballja me Flamurtarin?
Shumë e fortë. Flamurtari është skuadër cilësore dhe na vuri në vështirësi. Megjithatë, Teuta tregoi karakter dhe reagim. Nuk u dorëzuam asnjë moment dhe kjo është gjëja më pozitive.
A mund të jetë kjo pikë një kthesë për ekipin?
Shpresoj shumë. Kemi punuar fort gjatë gjithë javëve të fundit dhe mendoj se skuadra po rritet nga ndeshja në ndeshje. Kjo pikë duhet të na japë më shumë besim për vazhdimësinë.
Tashmë vjen përballja e fundit e sezonit ndaj Egnatias. Sa vendimtare është kjo ndeshje për Teutën dhe çfarë pret nga ai duel?
Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe e dimë mirë peshën që ka. Do të përballemi me një kundërshtar shumë të fortë, por Teuta do të futet në fushë vetëm për rezultat pozitiv. Kemi besim te grupi dhe te puna që kemi bërë gjatë gjithë sezonit. Do të japim maksimumin deri në minutën e fundit, sepse duam ta mbyllim kampionatin me dinjitet dhe t’u japim kënaqësi tifozëve tanë.





