Pedagoget Dr Morena Boja dhe Prof Ass Dr Ersida Teliti organizojne ne Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD), ne Fakultetin e Shkencave Politike dhe Juridike, më 7–8 maj 2026 workshop-in ndërkombëtar me temë “Citizens, Political Organisations and Digital Technologies in the Western Balkans: Disconnection or Democratic Reconnection?”, ky aktivitet organizohet në kuadër të COST Action CA23114 – Relink2: Regaining Linkage? Digital Technologies Improving Civic Engagement, Political Organisations and Democracy financuar nga EU.

Aktiviteti zhvillohet në ambientet e Aula EULAB Campus, në Fakultetin e Shkencave Politike dhe Juridike, dhe sjell në Durrës akademikë, politikëbërës, përfaqësues institucionesh publike, organizata të shoqërisë civile dhe ekspertë nga Shqipëria, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Europa.
Workshop-i synon të analizojë ndikimin e teknologjive digjitale në forcimin e demokracisë, pjesëmarrjes qytetare, transformimit institucional dhe rritjes së transparencës në qeverisje. Përmes diskutimeve dhe paneleve akademike, fokusi vendoset te mënyra se si digjitalizimi mund të shërbejë si urë lidhëse mes qytetarëve dhe institucioneve demokratike.

Dita e parë do t’i dedikohet tryezave të rrumbullakëta me përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore, ekspertë të qeverisjes lokale, medias dhe shoqërisë civile. Diskutimet do të trajtojnë tema si e-demokracia në Ballkanin Perëndimor, sfidat e digjitalizimit në arsim dhe administratë publike, transparenca zgjedhore, pjesëmarrja qytetare dhe roli i teknologjisë në rikthimin e besimit politik.

Dita e dytë do të fokusohet në sesionet akademike, ku studiues nga universitete shqiptare dhe europiane do të prezantojnë kërkime shkencore mbi demokracinë digjitale, inovacionin politik, përfshirjen qytetare dhe sfidat demokratike të rajonit.

Ky organizim përfaqëson një shembull të qartë të ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë dhe rolit që universitetet europiane luajnë në fuqizimin e kërkimit shkencor dhe dialogut institucional në Shqipëri. Përfshirja e UAMD-së në një rrjet prestigjioz si COST Action dëshmon rritjen e profilit akademik të universitetit dhe aftësinë e tij për të qenë një qendër referimi për debatet bashkëkohore mbi demokracinë, qeverisjen dhe transformimin digjital.

Evente të tilla jo vetëm rrisin bashkëpunimin ndëruniversitar dhe ndërinstitucional, por edhe e vendosin Durrësin dhe UAMD-në në hartën e aktiviteteve akademike europiane, duke krijuar mundësi të reja për studentët, pedagogët dhe aktorët lokalë që të jenë pjesë aktive e proceseve të zhvillimit demokratik dhe integrimit europian.

Ky workshop konfirmon rëndësinë e universiteteve si hapësira të dialogut publik, inovacionit dhe ndikimit real në shoqëri, duke e kthyer UAMD-në në një pikë të rëndësishme takimi për ide, politika dhe bashkëpunim rajonal.