Pacienti zero i epidemisë së hantavirusit në një anije kroçiere është identifikuar si ornitologu (studiues që merret me studimin e zogjve) Leo Schilperoord, pasioni i të cilit i kushtoi jetën.

Burri 70-vjeçar dhe bashkëshortja e tij, Mirjam Schilperoord, 69 vjeçe, ishin në udhëtim në Amerikën e Jugut prej pesë muajsh.

Il Messaggero shkruan se ata mbërritën në Argjentinë më 27 nëntor dhe vazhduan udhëtimin në Kili dhe Uruguaj, për t’u kthyer më pas në Argjentinë në fund të marsit, ku ndërmorën një ekskursion fatal për vëzhgimin e shpendëve.

Çifti, me origjinë nga Haulerwijk, një fshat i vogël me 3 mijë banorë në Holandë, është identifikuar në nekrologjitë e publikuara në buletinin mujor të qytetit.

Vendgrumbullimi i mbetjeve në Ushuaia është vendi ku autoritetet argjentinase dyshojnë se çifti holandez thithi grimca të ardhura nga jashtëqitjet e minjve të orizit, me bisht të gjatë, bartës të variantit të rrezikshëm “Andes” të hantavirusit, forma e vetme e njohur që mund të transmetohet nga njeriu te njeriu.

Më 1 prill, çifti kishte hipur në anijen MV Hondius nga Ushuaia, së bashku me 112 persona të tjerë, shumë prej të cilëve ishin gjithashtu të apasionuar pas vëzhgimit të shpendëve ose shkencëtarë.

Më 6 prill, Leo kishte shfaqur temperaturë, dhimbje koke, dhimbje stomaku dhe diarre. Ai më pas vdiq në bordin e anijes, pesë ditë më vonë.

Mirjam zbriti nga anija, së bashku me trupin e Leo-s, më 24 prill, gjatë një ndalese të planifikuar në ishullin atlantik Santa Helena. Ajo mori një avion për në Johanesburg të Afrikës së Jugut dhe më pas një tjetër avion të kompanisë KLM për në Holandë, por nuk arriti kurrë në destinacion.

Ekuipazhi e kishte gjetur atë shumë të sëmurë për të fluturuar dhe në atë moment u detyrua ta zbriste nga avioni. Mirjam u rrëzua në aeroport dhe vdiq të nesërmen.