NGA ARTAN KACANI

12 vite i duhen sot një qytetari shqiptar për të përfunduar një proces gjyqësor në të gjitha shkallët e sistemit të drejtësisë. Rreth 150 mijë dosje janë stok në gjykatat e vendit. Vetëm në Gjykatën e Apelit ndodhen afro 56.990 dosje të grumbulluara në bodrume, korridore dhe zyra gjyqtarësh. Çdo gjyqtar i Apelit ka mesatarisht mbi 1.800 dosje në shqyrtim.

Një pjesë e madhe e këtij kolapsi lidhet drejtpërdrejt me konfliktet e pronësisë.
Sikur të kishim një sistem kadastral transparent, me numra parcelash e ndërtesash, adresar të saktë dhe identifikim civil të unifikuar, si edhe një punë serioze mbi historikun e pronave për pasurimin e kartelave të pasurisë, sot do të kishim të paktën gjysmën e volumit të çështjeve që mbingarkojnë drejtësinë.
Brenda një viti është e mundur që, me një grup pune ekspertësh, të bëhet qartësimi i kartelave të pasurisë historike, duke lidhur hartat dhe regjistrat e periudhave të ndryshme deri më sot. Asnjë pronë nuk lind nga hiçi; çdo pronë ka një origjinë dhe një histori juridike. Këtë duhet ta garantojë ministria përkatëse, përmes zyrave të kadastrës dhe hipotekës.
Çdo kullotë, çdo ranishte, çdo truall ka një historik pronësie. Është e mundur të rindërtohet vazhdimësia juridike e pronave nga periudha mesjetare deri në ditët tona. Çdo pronë ka lënë gjurmë në arkiva të ndryshme historike: veneciane, osmane, italiane, komuniste apo shtetërore moderne. Sot detyra jonë është t’i zbardhim këto histori pronash dhe të pasurojmë kartelat e pasurisë, në mënyrë që proceset gjyqësore të mos prodhojnë kosto të panevojshme për qytetarët, ekspertiza topografike të cunguara apo hapësira për korrupsion.

Sfida e shtetit modern është t’i lidhë këto hallka historike në një sistem unik dhe të besueshëm.

Kjo kërkon vullnet të hekurt politik.

Shumë vende të Europës Lindore, pas rënies së komunizmit, u përballën me problematika të ngjashme: konfiskime, kolektivizime, mungesë dokumentacioni, mbivendosje pronash dhe deformime juridike të trashëguara nga regjimet totalitare. Megjithatë, përmes reformave të forta institucionale dhe digjitalizimit të administratës, ato arritën të krijojnë sisteme më funksionale dhe më të besueshme se sa ato që kemi sot në Shqipëri.

Edhe ne mund ta realizojmë.

Por kjo nuk bëhet duke prodhuar privilegje të reja politike mbi pronën. Lufta e klasave, e vazhduar në forma moderne përmes favorizimeve politike dhe kapjes administrative, duhet të marrë fund. Nuk mund të ndërtohet shtet i së drejtës mbi padrejtësi të trashëguara, të pazbardhura ose të manipuluara sipas interesave të momentit.

Duhet të adresohen me serioz sfidat e çdo periudhe pronësie dhe format e përvetësimit të pronës: nga pushtimet historike, tek konfiskimet shtetërore, privatizimet e tranzicionit, legalizimet, mbivendosjet dhe deformimet urbane të dekadave të fundit.

Pa këtë qartësi, drejtësia do të vazhdojë të mbytet nga konfliktet pronësore, qytetarët do të vazhdojnë të humbin vite në gjykata dhe ekonomia do të mbetet peng i pasigurisë juridike.

Një shtet modern nuk ndërtohet vetëm me gjykata të reja apo reforma procedurale. Ai ndërtohet mbi sigurinë juridike të pronës, transparencën administrative dhe besimin e qytetarit tek dokumenti shtetëror.

Vetëm kështu mund të ndërtojmë një Shqipëri moderne, funksionale dhe të drejtë.