Ervin Salianji ka reaguar pasi u përjashtua nga gara për kreun e Partisë Demokratike. Gjatë fjalës së tij para mbështetësve në Peshkopi, Salianji iu drejtua Berishës duke u shprehur se nuk mundi ta mund atë, si do mund ta mund Ramën.
Sipas tij, kjo nuk është vetëm një padrejtësi që i bëhet një individi, por deformimi i procesit për t’i shërbyer Edi Ramës.
“Lidershipi mbylli garën, kontrollon proceset dhe mbron interesat personale të veta. Në vend të hapjes kemi mbylljen, në vend të konkurrencës tentohet përjashtim, në vend të rregullave arbitraritet. Pavarësisht një fushate 5-mujore në të gjithë vendin dhe mbështetjes së gjerë që kemi nga anëtarësia, ju e patë që kandidimi im u bllokua pa asnjë vendim formal, nuk u dha as e drejta minimale për të garuar sepse Sali Berisha e di siç e di e gjtihë Shqipëria që me zgjedhje unë do ta mundja, që energjia në të gjithë Shqipërinë do të ishte ndryshe, që PD do të bëhej fituese. Kjo nuk është vetëm një padrejtësi që i bëhet një individi, por deformimi i procesit për t’i shërbyer Edi Ramës.
Ai është pengesë për ndryshimin. Shkelja hapur e statutit dhe premtimeve që i ka dhënë edhe këtu në Dibër, për mosdorëheqjen pas humbjes tregon qartë mungesë përgjegjshmërie dhe refuzim të rregullave bazë mbi të cilat funksionon një parti politike. Shumë me të drejtë do të thonë atë që po them unë këtu, kur Sali Berisha nuk më mund dot mua duke patur listën, burimet financiare, mediat, regjimin, si do ta mundësh Edi Ramën o zotëri?! Se sikur të mos mjaftojnë këto, përjashton të gjithë kundërshtarët, të gjithë zërat ndryshe. Duan ta shuajnë PD-në, por ne nuk do ta lejojmë.”, deklaron Salianji.





