Ata do të niseshin për në Durrës, por para se makina e tyre të imbarkohej në tragetin e linjës së Shqipërisë në portin e Barit, policia ushtroi kontroll në automjet.
Autoritetet italiane do të kishin pritur gjithçka por sigurisht jo trupin e një personi të vdekur në bagazh, shkruajnë mediat italiane.
Dy shqiptarët nga Kosova po përpiqeshin ta transportonin të afërmin e tyre në vendin e origjinës, ku edhe do të varrosej.
Pas hetimeve u konstatua se viktima kishte gjetur vdekjen për shkaqe natyrale, gjë që u konfirmua edhe nga ekspertiza mjeko-ligjore.
Trupi ishte mbështjellë me një çarçaf dhe ishte futur brenda një kutie në bagazhin e makinës, e gjitha kjo mendohet të jetë bërë për të shmangur procedurat doganore, të cilat në të tilla raste kushtojnë mijëra euro.
Autoritetet gjyqësore u informuan për rastin dhe urdhëruan transportimin e trupit në morg, deri në procedurat e duhura për nisjen drejt Kosovës.





