Vazhdon situata kaotike me plehrat e Durrësit. Dy kamionë me mbeturina janë hedhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Bizë.

“DurrësLajm” mëson se disa kamionë kanë shkuar gjatë natës dhe i kanë hedhur përgjatë rrugës Lalëz-Bizë, dhe jo tek ish-vendi i grumbullimit të mbetjeve.

Një grup prej 15 banorësh kanë qenë duke bërë roje tek çadra në vendgrumbullimin e vjetër të plehrave, kur kanë parë dritat e kamionëve që janë ndalur rreth 4 km larg pozicionit ku ata ishin. Kur kanë mbërritur banorët në vendin e hedhjes së mbeturinave, kamionët ishin larguar. Në atë kohë në zonë kishte ikur edhe energjia elektrike dhe më pas kanë konstatuar se gjithçka ishte realizuar në mënyrë të papritur, aty ku banorët në fakt nuk e prisnin.

Banorët shprehen të revoltuar për “DurrësLajm”: “Na e kanë punuar fshehurazi, e dinin se ku po bënim roje ne, dhe shkuan t’i hidhnin aty ku e dinin që s’do gjenin njerëz”.

Hedhja e mbeturinave në vende jo të përcaktuara, por ku të dalë për mbarë, krijon ndotje të mëdha mjedisore. Ata që e vuajnë janë banorët, që fati i keq qëlloi që plehrat të derdhen në zonën ku ata jetojnë duke e konsideruar aspak të drejtë këtë që po ndodh.

Pavarësisht premtimeve nga qeveria e nga kryeministri Edi Rama se zgjidhja është gjetur dhe plehrat do të shkojnë në landfillin e Sharrës, drita e gjelbër duket ende larg.

Rama siguroi durrsakët me anë të një reagimi, se s’do të ketë hedhje plehrash në asnjë zonë të bashkisë në këtë fazë tranzicioni, por realiteti po dëshmon krejtësisht të kundërtën.