Zëvendëskryeministrja, Albana Koçiu, ka prezantuar këtë të mërkurë planin e masave të ndërmarra nga institucionet përgjegjëse për garantimin e një sezoni turistik të sigurt dhe të suksesshëm.

Fillimisht, Koçiu u shpreh se Shqipëria është cilësuar si shembull për menaxhimin e kufijve dhe mungesën e radhëve.

Në një vend ku numri i turistëve është dyfishuar, trefishuar në pesë vitet e fundit, problemi i menaxhimit të fluksit turistik do të ishte mëse i mundshëm.
Por kjo gjë nuk ka ndodhur, madje, në një kohë kur sistemi i ri Europian i Kontrollit Kufitar po krijon radhë dhe vonesa të mëdha në vendet e BE, Shqipëria është cilësuar nga shumë burime si një shembull për mirëmanaxhimin e kufirit dhe mungesën e radhëve. Ky shembull i vendosur nuk është rastësi, por produkt direkt i një pune shumë voluminoze të institucioneve tona”,
 tha ajo.

Më tej, ministrja cilësoi se plani i masave është bërë çdo vit e më i detajuar, teksa tashmë uniformat blu kanë nisur nga:

-Shtimin e sporteleve dhe personelit në detyrë në pikat e kalimit kufitar.
-Përmirësimin e sinjalistikës rrugore.
-Caktimin e kalatave të dedikuara për anijet turistike.
-Lehtësimin e procedurave të kalimit të kufirit.
-Si dhe patrullim i vazhdueshëm i hapësirave bregdetare për të garantuar sigurinë në det nga mjetet lundruese.

Në ndihmë vijnë dhe zjarrfikësit e Urgjenca, ndërsa Koçiu thekson se Ministria e Kulturës po përgatit evente dhe ngjarje të ndryshme argëtuese.

“Shërbimi Kombëtar i Zjarrfikëseve është përgatitur gjithashtu për të përballuar çdo situatë, sidomos sa i përket mundësisë së vatrave të zjarrit. Shërbimi Kombëtar i Urgjencës, si dhe MSHMS, kanë zgjeruar më tej programin e tyre të suksesshëm të Qendrave Shëndetësore Verore. Ministria e Kulturës, po vendos në funksion një seri eventesh dhe ngjarjesh të larmishme kulturore. Gjithashtu institucione të tjera të varësisë si inspektoriatet, janë përgatitur për të siguruar që plani i masave të marra të zbatohet me përpikmëri”, tha ajo.

Sakaq, lidhur me portin e Durrësit dhe atë të Sarandës, Koçiu u shpreh se së shpejti do të aplikohet sistemi e-Gate, i cili ka rezultuar i suksesshëm në Aeroportin “Nënë Tereza”.

Dy fjalë dua të them dhe për sistemin e ri që shumë shpejt do të aplikohet në Portin e Sarandës dhe atë të Durrësit. Sistemi e-Gate, në Aeroportin “Nënë Tereza” ka rezultuar shumë i suksesshëm në reduktimin e kohës së kalimit të kufirit në vetëm pak minuta. Saranda, është gjithmonë e më shumë një ndër destinacionet më atraktive të ofertës tonë turistike. Kam bindjen që edhe ky sezon turistik, me të gjithë organizimin dhe angazhimin e institucioneve tona do të garantojë që të kemi një sezon turistik të suksesshëm në të gjithë vendin”, u shpreh ajo.