Kryetari në detyrë i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, gjyqtari Erion Bani dhe Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, janë takuar ditën e djeshme në ambientet e Gjykatës së Posaçme. Ata kanë diskutuan mbi rolin e Gjykatës në forcimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë dhe rëndësinë e ruajtjes së standardeve të larta në vendimmarrje. Godinat e GJKKO janë rikonstruktuar së fundmi, ndërsa financimi i projektit është mbështetur nga BE.

Gjatë një vizite në ambientet e rikonstruktuara të GJKKO-së, u bë e ditur se 80% e kostos së investimit është mbuluar përmes ripërdorimit të aseteve të konfiskuara, në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ambasadori Gonzato tha se përmirësimi i infrastrukturës gjyqësore duhet të mbetet prioritet në të gjithë Shqipërinë. Kjo me qëllim garantimin e sigurisë, transparencës dhe aksesit të qytetarëve në drejtësi. Sipas përfaqësuesve të BE-së, investime të tilla synojnë të mbështesin më tej konsolidimin e reformës në drejtësi dhe forcimin e institucioneve të pavarura në vend.