Brenda muajit korrik pritet t’u shpërndahen paratë për grantet e rindërtimit qytetarëve të Durrësit, banesat e të cilëve janë me dëmtime DS1, DS2 dhe DS3.
Ky ishte premtimi që bëri sot ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj gjatë një komunikimi me kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun e Shijakut, Elton Arbana, bashkia e të cilit u bë e para njësi vendore, ku qytetarët po marrin paratë për riparimin e shtëpive të tyre të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
“Durrësi në vlerësimet paraprake është 2.4 miliardë lekë apo 24 milionë dollarë, të cilat do të shpërndahen brenda muajit korrik. Të gjitha bashkitë që do të bëjnë vlerësimin final dhe kontraktimin siç e ka bërë bashkia e Shijakut në kohë rekord, ne ju premtojmë që brenda korrikut të gjitha familjet do të marrin paratë ashtu siç po i marrin qytetarët në bashkinë e Shijakut. Shuma totale mendohet të shkojë rreth 75 milionë dollarë, vetëm programi i granteve”,- tha ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj.
Më datë 29 maj, Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi listën paraprake me emrat e 8782 banorëve që pritet të përfitojnë nga granti i rindërtimit. Në bazë të vendimit të marrë nga KB Durrës, qytetarët që kanë dëmtime në banesë në nivelin DS1, DS2 dhe DS3 do të përfitojnë dëmshpërblimet maksimale, respektivisht:
DS1 – 100 mijë lekë
DS2 – 250 mijë lekë
DS3 – 500 mijë lekë
Ndërkohë, nuk është ende e qartë sesi do të vijohet me riparimin e ambienteve të përbashkëta në pallatet e dëmtuara nga tërmeti. Qytetarët e Durrësit janë në pritje të kalimit të këstit të pestë të qirasë, i cili sipas bashkisë pritet të kalojë në llogaritë bankare të qytetarëve përgjatë kësaj jave, pasi fondet e nevojshme për këtë proces kanë kaluar në bankat e nivelit të dytë.
M.B.





