Një studim i ri ndërkombëtar ka zbuluar se si gjumi i pamjaftueshëm, ashtu edhe ai i tepërt, mund të përshpejtojnë plakjen e organizmit dhe të rrisin rrezikun për disa sëmundje serioze.

Studiuesit analizuan të dhënat e afro gjysmë milioni personave në Britani dhe zbuluan se njerëzit që flenë më pak se 6 orë ose më shumë se 8 orë në natë, shfaqin shenja më të shpejta të plakjes biologjike.

Sipas tyre, organet më të prekura janë truri, zemra, mushkëritë, sistemi imunitar, mëlçia dhe metabolizmi.

Ekspertët përdorën të ashtuquajturat “ora biologjike”, teknologji që matin plakjen reale të trupit përmes analizave biologjike dhe inteligjencës artificiale.

Rezultatet treguan se personat që flinin në mënyrë të moderuar kishin gjendjen më të mirë shëndetësore, ndërsa gjumi shumë i shkurtër u lidh veçanërisht me depresionin, ankthin, sëmundjet e zemrës, diabetin e tipit 2, obezitetin dhe problemet me frymëmarrjen.

Edhe gjumi i tepërt u shoqërua me probleme shëndetësore, megjithëse studiuesit theksojnë se ai mund të jetë edhe shenjë e sëmundjeve ekzistuese.

Autorët e studimit theksojnë se gjumi luan një rol kyç në shëndetin e gjithë organizmit dhe rekomandojnë më shumë studime për të kuptuar më mirë lidhjen mes gjumit dhe plakjes së përshpejtuar.