Nga Gëzim KABASHI
Ky shkrim u publikua në ATSH më 17 tetor 2007, ditën kur aktori dhe regjisori Vangjel Heba (Artist i Merituar) u përcoll në banesën e fundit nga familja, kolegët dhe bashkëqytetarët durrsakë.
Vangjel Heba u lind në vitin 1933 në Durrës, në një familje të nderuar qytetare. Shkollën 7-vjeçare dhe të mesme i kreu në qytetin bregdetar dhe aty spikatën aftësitë e tij në fushën skenike. Në fillim të viteve ’50 ai nisi punën si aktor në teatrin e Ushtrisë në Tiranë, ndërsa më 11 janar të vitit 1953 Vangjel Heba bëhet një nga aktorët themelues të Teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit.
Në skenën e këtij teatri Vangjel Heba u shqua si aktor i roleve të fuqishme dramatike, duke interpretuar heronjtë kryesorë. Por nuk mungojnë edhe rolet e suksesshme në komedi të ndryshme. Vangjel Heba ka interpretuar mbi 120 role në teatër, mes të cilave spikasin Petriti te “Familja e peshkatarit”, Anjuçkini te “Martesa” e Gogolit, Adem Reka te “Flamur në stuhi”, Breti te “Rrënjë të thella”, etj.
Është i njohur kontributi i Vangjel Hebës në kinematografinë shqiptare. Ai ka krijuar 26 figura të ndryshme në filmat “Nëntori i dytë”, “Toka jonë”, “Malet me blerim mbuluar”, “Furtuna”, “Njësiti gueril”, etj. Gjatë karrierës së tij të gjatë artistike Vangjel Heba ka vënë në skenë disa pjesë, duke shfaqur edhe talentin e tij si regjisor. Dramat dhe komeditë “Njerëz mbi shkëmb”, “Revizori” apo “Një shok i klasës sime” mbajnë firmën e regjisorit Heba.
Qindra bashkëqytetarë, kolegë si dhe autoritetet e pushtetit vendor dhe qendror kanë bërë pasditen e asaj dite homazhe në nderim të Artistit të Merituar Vangjel Heba, i cili vdiq nga një sëmundje e rëndë në orët e para të mëngjesit. Arkivoli me trupin e aktorit të njohur ishte vendosur në hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit, në skenën e të cilit Vangjel Heba interpretoi për 35 vjet me radhë.
“Vangjel Heba ishte petriti i skenës së teatrit të Durrësit, një shpend i gjallë, i palodhur dhe dinamik”. I hidhëruar për humbjen e kolegut 74-vjeçar, regjisori Haxhi Rama i fillon kështu kujtimet e tij për Artistin e Merituar, Vangjel Heba. “Një nga rolet më të arrira të Vangjelit është Petriti te “Familja e peshkatarit” të Besim Lëvonjës dhe ai ishte vërtet i tillë, ‘petrit’, për ne artistët më të rinj dhe për vetë teatrin”, shton Mjeshtri i Madh i skenës, Rama.
“Vangjeli ishte një regjisor strikt dhe shumë serioz dhe unë pata fatin të punoj me të në dramat “Njerëz mbi shkëmb”, “Një shok i klasës sime”, etj”.
Në hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu” hyjnë vazhdimisht njerëz, bashkëqytetarë dhe artistë, që nderojnë aktorin e shquar. Përballë familjarëve janë rreshtuar kolegët artistë të teatrit, familja tjetër e madhe e Vangjel Hebës. “Ai erdhi në teatrin amator me pantallona të shkurtra dhe u aktivizua që fëmijë, e më pas ishte një nga aktorët që themeluan më 11 janar 1953 teatrin që mban emrin e Aleksandër Moisiut, aktorit të madh me famë evropiane”, thotë një prej tyre.
Regjisori Gjergj Vlashi kujton se Vangjeli ka krijuar figura mjaft interesante edhe në kinematografi: peshkopin te “Nëntori i dytë”, beun në “Malet me blerim mbuluar”, e më pas Murrashin te “Toka jonë”, etj. “Janë 26 filma, nuk janë pak”, shton Artisti i Popullit Gjergj Vlashi. Më pas kujtimet shtyhen më tej: “Djalosh i pashëm dhe mjaft komunikues, Vangjeli ka drejtuar si konferencier Festivalin e Tretë të Këngës në Radio-Tirana (Radiotelevizioni i sotëm)”, thotë Gjergj Vlashi, i cili e ka drejtuar si regjisor këtë festival.
Aktori Mirush Kabashi thotë se karriera e tij artistike ka nisur në vitin 1970 me një rol të mrekullueshëm, Hlestakovin në komedinë “Revizori” të Gogolit. “Sapo kisha mbërritur nga auditoret e Institutit të Lartë të Arteve dhe regjisori Vangjel Heba më besoi që në hapat e parë”.
Më pas bashkëpunimet vazhduan mjaft të frytshme edhe në dramën “Një shok i klasës sime”. “Vangjeli ishte jo vetëm regjisor, por edhe një nga interpretët kryesorë të pjesës”.
Kabashi shton se lojën e aktorëve Nikolin Xhoja dhe Vangjel Heba e ndiqte nga prapaskena. “Roli komik i Anjuçkinit te “Martesa” e Gogolit ishte një nga arritjet e Hebës, që e plotësonte atë jo vetëm si aktor të figurave dramatike, por edhe si njohës shumë i mirë i planit komik. Kam qenë i lumtur që e kam dubluar atë rol mjaft të këndshëm”, thotë Mjeshtri i Madh i skenës, Mirush Kabashi.
Aktorët Xhelal Tafaj, Hysen Bash’hysa, Sanie Hoti, Roland Koca, Muharem Hoxha, regjisorja Driada Dervishi, të cilët aktualisht militojnë në teatrin e themeluar 55 vjet më parë nga Vangjel Heba dhe artistët e tjerë të mëdhenj të Durrësit, kujtojnë edhe aktorët e tjerë të shquar, një pjesë e të cilëve nuk jetojnë më.
Në teatrin “Aleksandër Moisiu”, ku doli në pension në vitin 1988, Vangjel Heba ka interpretuar mes aktorëve mjaft të njohur të skenës dhe ekranit si Artisti i Popullit Nikolin Xhoja, Artistët e Merituar Vera dhe Spiro Urumi, Guljelm Radoja, Lutfi Hoxha, Ali Bega, Marta Burda, Mjeshtri i Madh i skenës Mirush Kabashi, etj.








