Vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit ndaj ish-ministrit Lefter Koka sipas avokatit mbrojtës mund të  mbetet i pazbatuar për ta rikthyer ish-deputetin në qeli për të vuajtur rreth 6 muajt e mbetura të dënimit.

Shkak është trajtimi mjekësor që ish-deputeti dhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka sipas avokatit te tij është duke marrë jashtë vëndit.

Lefter Koka është dënuar për dosjen e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit dhe së fundmi për djegësin e Tiranës.

Maksim Sota, avokati i ish-ministrit Koka, shpjegon se prej katër muajsh klienti i tij po kurohet jashtë Shqipërisë për problemet shëndetësore nga të cilat vuan.

Vendimmarrja e Apelit mund të mbetet e paezkekutuar për verdiktin që lidhet me inceneratorin e Tiranës, pasi Lefter Koka gjendet jashtë shtetit prej më shumë se 4 muajsh.

Sota thotë: “I mbrojturi ka shfaqur probleme shëndetësore që kur gjendej në burg dhe pasi u lirua në muajin dhjetor, ka shkuar jashtë vendit për të marrë trajtim dhe mjekim më të specializuar”.

Sota shpjegoi gjithashtu se vendimi i Apelit të Posaçëm i është njoftuar Kokës dhe se ai do të kthehet sapo të përfundojë kurimin.

Ish-ministri Koka u dënua më 16 prill 2025 nga Shkalla e Parë me 2 vjet burgim për shpërdorim detyre në bashkëpunim në procedurat e aferës së inceneratorit të Tiranës.

Gjykata urdhëroi gjithashtu shuarjen e masës së sigurimit dhe lirimin e tij për këtë çështje me argumentin se dënimi ishte konsumuar gjatë paraburgimit, por dy vendime të tjera për kontratat koncesionare të Elbasanit dhe Fierit e penguan lirimin e tij.

Koka u lirua në dhjetor nga Gjykata e Durrësit, pasi u vlerësua se i kishte kryer dënimet e dhëna ndaj tij. Gjatë gjykimit në Apel, prokurori kërkoi që të përsëritej pjesërisht gjykimi për Kokën, duke kërkuar rillogaritjen e masës së dënimit.

Gjykata e Posaçme e Apelit e pranoi kërkesën e prokurorit dhe vendosi të enjten të prishë pjesën e vendimmarrjes së Shkallës së Parë, lidhur me shuarjen e masës së sigurisë, prej nga duhet që Koka të vuajë pjesën e mbetur të dënimit. Llogaritet se ish-ministrit i kanë mbetur të paktën edhe 6 muaj izolim për të vuajtur.