Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka fituar gjyqin ndaj ish-deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila është dënuar sot nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë për akuzën e “shpifjes”.
Ish-deputetja demokrate do duhet t’i paguaj Erion Veliajt gjobën prej 500 mijë lekësh, si dhe shpenzimet gjyqësore dhe ato avokatore.
Veliaj e paditi Tabakun për shpifje, lidhur me deklaratat që ish-deputetja demokrate kishte bërë nga selia e PD-së për çështjen e Unazës së Re.
Sipas Gjykatës së Tiranës, Jorida Tabaku ka kryer shpifje gjatë një konference shtypi, ku ajo kishte deklaruar se projekti i Unazës së Madhe është një projekt korruptiv i Veliajt dhe kryeministrit Rama, duke i akuzuar ata për ndryshimin e planit për përfitime personale.
Në daljet publike, Kryebashkiaku Veliaj ka deklaruar se të gjitha paratë e fituara nga gjyqet për shpifje ndaj ish-deputetëve të PD, shkojnë direkt në “Fondin e Edukimit”, i krijuar për të mbështetur çerdhet, kopshtet, bibliotekat e shkollave me materiale mësimore.
Më herët Veliaj ka fituar gjyqet për shpifje ndaj ish-deputetes së PD, Albana Vokshi dhe ish-këshilltarit të PD-së, Akil Kraja.





