Avokati mbrojtës i shoferit të kamionit, Andon Thanasi, i ndaluar pak ditë me parë në portin e Durrësit me 498.850 euro të fshehura në urën lidhëse të kamionit dhe rimorkios, ka pranuar sot në gjykatë se paratë janë të 56-vjeçarit nga Tirana.
Për “DurrësLajm”, avokati Armand Tragaj deklaron se sot në gjykatë, gjatë mbrojtjes, ka pohuar se shuma e konsiderueshme e parave i përket klientit të tij, por në një moment të dytë do të japin shpjegime për burimin e ligjshëm të tyre.
“Klienti im e pranon se sasia e eurove e gjetur poshtë kamionit janë të tijat. Nuk është e vërtetë se ai nuk kishte dijeni për paratë. Klienti im e kupton se ka kryer një shkelje penale me mosdeklarimin e tyre në kufi, por ato janë para të ligjshme dhe këtë do ta provojmë në një moment të dytë. Unë kam qenë së bashku me të, që në momentet e para pas zbulimit të parave gjatë skanimit të kamionit. Klienti im nuk ka deklaruar asgjë në polici. Ne do ta vërtetojmë në një moment të dytë ligjshmërinë e atyre parave”, tha avokati Tragaj.
Gjykata e Durrësit i dha masën e sigurisë “arrest me burg” shoferit Andon Thanasi. Ai u arrestua të shtunën më 13 qershor, pasi në hyrje të RSH-së në portin e Durrësit, në vijën e dytë, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga strukturat doganore, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, në urën lidhëse të kamionit tip “Renault” dhe rimorkios, pas skanimit dhe kontrollit u gjetën të fshehura disa pako të mbështjella, brenda të cilave kishte 498.850 euro, të padeklaruara.
M.B.





