Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për shoferin e kamionit, 56-vjeçarin Andon Thanasi, në mjetin e të cilit u sekuestruan tri ditë më parë 498.850 euro.

Ndaj tij rëndojnë veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Të shtunën më 13 qershor, në hyrje të RSH-së në portin e Durrësit, në vijën e dytë, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga strukturat doganore, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, u ndalua mjeti kamion tip “Renault”, me drejtues Andon Thanasi, 56 vjeç, banues në Tiranë. 

Në urën lidhëse të kamionit dhe rimorkios, pas skanimit dhe kontrollit u gjetën të fshehura disa pako të mbështjella, brenda të cilave kishte 498.850 euro, të padeklaruara.

Mjeti kryente shpesh linjën Durrës-Bari dhe Bari-Durrës, dhe transportonte nga Italia drejt Shqipërisë materiale më lëndë të parë për fasoneritë, që shërbenin për të prodhuar këpucë.

Mjeti ka ardhur i mbushur me materiale të lëndës së parë për prodhimin e këpucëve nga Italia, ku në pjesën e poshtme ne shasisë së mjetit ishin fshehur dhe paratë.

Dyshimet fillimisht kanë nisur nga zhurma qe dëgjohej pas goditjeve të pjesëve bosh të kamionit, i cili më pas është futur në skaner ku u zbulua një njollë në urën lidhëse te kamionit dhe rimorkios ku u gjeten dhe qeset ku ishte sasia prej rreth 500 mijë eurosh.