Projekti i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, i prezantuar si një nga investimet strategjike më të rëndësishme për jugun e vendit dhe turizmin shqiptar, po përballet me probleme të shumta, nga shtyrjet e vazhdueshme të afateve deri tek përplasjet mes kompanive që po zbatojnë punimet.
Situata është tensionuar edhe më tej ditën e sotme, pas konfliktit të hapur mes firmave të përfshira në ndërtimin e aeroportit. Punonjësit e kompanisë Mapko dhe nënkontraktorëve të saj janë telefonuar mbrëmjen e kaluar dhe janë njoftuar që të mos paraqiteshin në punë gjatë ditës së sotme. Megjithatë, për shkak se nuk ka pasur asnjë komunikim zyrtar apo shkresë formale, punonjësit janë paraqitur normalisht në kantier, por nuk janë lejuar të hyjnë në ambientet e aeroportit.
Bëhet fjalë për punonjës që operojnë në disa sektorë të rëndësishëm të projektit, përfshirë punimet brenda terminalit, ambientet e jashtme dhe shërbimin zjarrfikës.
Sipas burimeve pranë kompanisë së biznesmenit Behgjet Pacolli, nuk ekziston asnjë njoftim zyrtar për ndërprerjen e punës apo pezullimin e aktivitetit. Përfaqësues të kompanisë pretendojnë se ndalimi i hyrjes së punonjësve është bërë në mënyrë të padrejtë dhe jashtë çdo procedure ligjore.
Në reagimet e tyre, përfaqësuesit e kompanisë së Pacollit shprehen se konflikti mes palëve tashmë ndodhet në gjykatë dhe se vetëm drejtësia mund të vendosë për vijimin e punimeve dhe marrëdhënien kontraktuale mes kompanive.
Sipas tyre, është kompania VIA, pjesë e konsorciumit të aeroportit, ajo që ka urdhëruar ndalimin e hyrjes së punonjësve në kantier.
Ndërkohë, afati për përfundimin e punimeve nga këto kompani ishte fundi i muajit maj, me të drejtë shtyrjeje edhe për tre muaj të tjerë. Kjo do të thotë se muaji gusht konsiderohet tashmë si afati final për mbylljen e punimeve që lidhen me këto kontrata.
Problemet e sotme i shtohen historikut të gjatë të vonesave që kanë shoqëruar projektin e aeroportit të Vlorës që prej shpalljes së tij.
Kontrata për ndërtimin e aeroportit u nënshkrua në prill të vitit 2021, ndërsa nisja zyrtare e punimeve u bë në nëntor të po atij viti.
Në prezantimet zyrtare të qeverisë, aeroporti ishte parashikuar të bëhej funksional brenda vitit 2024. Megjithatë, afatet janë shtyrë disa herë për shkak të problematikave teknike, procedurale dhe tashmë edhe konflikteve mes kompanive zbatuese.
Sot, ndërsa kantieri përballet me tensione dhe përplasje të brendshme, mbetet ende e paqartë se kur aeroporti do të përfundojë realisht dhe nëse afatet e reja do të mund të respektohen.
/tvklan.al





