Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka prishur ditën e sotme objektin Beach Bar në qytetin e Sarandës, i cili u bë shkak për shkarkimet masive të zyrtarëve të policisë së qytetit.
Në një reagim zyrtar, IKMT bën me dije se prishja e objektit u realizua për shkak se subjekti kishte tejkaluar lejen e cila i ishte dhënë një vit më parë, duke kryer punime deri ne breg te detit.
“Në kushtet e flagrancës, në territorin në fjalë IKMT konstatoi: objekt 1-katësh me konstruksion metalik të pambuluar, i vendosur mbi platformë betoni me xoklaturë, me sipërfaqe 340 m²; platformë betoni me sipërfaqe totale 390 m²; brez dhe mure mbajtëse me sipërfaqe totale 12 m²; shkallë dhe sheshpushim betoni 53 ml; platformë dërrase e vendosur mbi konstruksion metalik; tuba me sipërfaqe 407 m², si dhe strukturë metalike me tuba të pambuluar me sipërfaqe 66 m²; objekt 1-katësh me konstruksion betonarme, i mbuluar, me sipërfaqe 22.8 m², pa leje ndërtimi.
Në momentin e njoftimit të procesverbalit të konstatimit, pala subjekt i inspektimit, e përfaqësuar nga avokati, nuk paraqiti asnjë dokument zyrtar justifikues mbi punimet e ndërtimit të kryera deri në atë moment.
Në këto kushte, IKMT procedoi me marrjen e vendimit nr. 0000034, datë 13.05.2026, “Për prishjen e objektit të kundërligjshëm”, si dhe vendimit nr. 0000125 për gjobitjen e subjektit me shumën 11,680,054 lekë. Më datë 14.05.2026, IKMT filloi ekzekutimin e vendimit të prishjes në terren dhe këto veprime u përmbyllën gjatë ditës së sotme”, thekson IKMT.
LEJA E NDERTIMIT
IKMT sqaron dhe pretendimet e palës ndërtuese se kishte leje për realizimin e punimeve.
Në këtë deklaratë të Inspektoratit theksohet se subjekti Copacabana u tërhoq nga pretendimet, duke kërkuar anulimin e kontratës së qirasë me Agjencinë e Bregdetit. Po Ashtu IKMT saktëson se punimet që po kryheshin në terren ishin të ndryshme me lejen që kishte përfituar subjekti nga KKTU.
“Po sot, më datë 18.05.2026, avokati i subjektit paraqiti pretendimin se ekziston një leje ndërtimi e KKTU-së për strukturën në fjalë.
Pas verifikimeve të kryera, IKMT konstatoi se për zonën në fjalë rezultonte të ishte lëshuar një leje e KKTU-së me nr. prot. 3509/4, datë 05.08.2025, miratuar me vendimin e KKTU-së nr. 53, datë 28.05.2025, “Leje për strukturë shërbimi në stacionet e plazhit për objektin – Strukturë shërbimi”, me vendndodhje në Bashkinë Sarandë dhe zhvillues subjektin “COPACABANA Saranda”. Sipas kësaj lejeje, sipërfaqja e parcelës së marrë me qira ishte 389 m², sipërfaqja e strukturës 60 m², sipërfaqja e platformës së sistemimit me strukturë hijezuese 110 m², ndërsa lartësia maksimale 3.5 m. Struktura parashikohej me materiale të lehta dhe pa shtrirje në det.
Ndërkaq, Agjencia Kombëtare e Bregdetit bën me dije se, më datë 25.10.2025, subjekti “CopaCabana Saranda” ka kërkuar me vullnetin e tij zgjidhjen e kontratës së qirasë për përdorimin e stacionit të plazhit nr. SR-41, me nr. prot. 1159, datë 17.04.2025, si dhe heqjen dorë nga përdorimi i saj në vijim. Në vijim të kësaj kërkese, Agjencia Kombëtare e Bregdetit ka proceduar me zgjidhjen e kontratës së qirasë nr. prot. 1159, datë 17.04.2025, konfirmuar sipas shkresës nr. prot. 3291/1, datë 27.10.2025, drejtuar subjektit “CopaCabana Saranda”.
Në përfundim, rezulton qartësisht se subjekti po kryente ndërtim pa leje në kushtet kur nuk gëzonte të drejtën e përdorimit të kësaj hapësire dhe, rrjedhimisht, as të lejes së ndërtimit të dhënë nga KKTU-ja në vitin 2025 në funksion të së njëjtës kontratë.
Edhe në rast se pretendimi i subjektit për ekzistencën e kësaj lejeje do të ishte i saktë, leja e lëshuar nga KKTU-ja, e cituar nga subjekti, nuk ka asnjë lidhje me situatën e evidentuar në terren, me llojin dhe volumin e punimeve të paligjshme të kryera, përfshirë edhe hapësirën detare”, thekson IKMT.
IKMT Vendimi





