Studiues në Mbretërinë e Bashkuar kanë gjetur një lidhje të drejtpërdrejtë mes kursimit të rregullt të parave dhe mirëqenies psikologjike, përfshirë edhe cilësinë e gjumit.
Sipas studimit, personat që kursejnë rregullisht priren të jenë më pak të stresuar për çështjet financiare, çka i ndihmon të shmangin borxhet dhe të ndihen më të sigurt për situata të papritura. Kjo siguri financiare lidhet edhe me nivele më të larta të mirëqenies së përgjithshme, përfshirë optimizëm më të madh dhe ndjesi më të fortë lidhjeje me të tjerët.
Autorët e studimit theksojnë se nuk është shuma e kursyer ajo që ka ndikimin kryesor, por vetë zakoni i kursimit të rregullt. Sipas tyre, edhe vënia mënjanë e shumave të vogla mund të ketë efekt pozitiv, pasi ul rrezikun e borxheve dhe rrit ndjesinë e kontrollit financiar.
Të dhënat tregojnë se 47% e personave që nuk kursejnë raportojnë kënaqësi të lartë me jetën, ndërsa kjo shifër rritet në 63% tek ata që kursejnë mes 300 dhe 399 paund në muaj, duke sugjeruar një lidhje mes stabilitetit financiar dhe mirëqenies së përgjithshme.





