Detaje të reja janë zbardhur nga arrestimi i efektivit të Policisë së Sarandës, mbrëmjen e kaluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me Prokurorinë. Bëhet me dije, se në pranga ka rënë nënkomisari Edmond Ruçi, specialist për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë.

Sipas informacioneve paraprake, hetimet kanë nisur pas ndalimit të dy personave të dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike. Gjatë shoqërimit të tyre, në ambientet e dhomave të ndalimit janë instaluar pajisje përgjimi, çka ka çuar më pas në evidentimin e dyshimeve ndaj efektivit të policisë.

Pas përgjimeve dhe veprimeve hetimore të kryera nga AMP dhe Prokuroria, është bërë edhe ndalimi i oficerit Edmond Ruçi. Hetimet vijojnë gjithashtu për të zbardhur të gjithë rrethanat e ngjarjes.