Sa i takon ndërtimeve pa leje, tha se ka pasur shumë masa administrative, gjatë muajit prill. Fillimisht u ndal tek ajo që ka ndodhur në Sarandë, ku janë arrestuar disa efektivë, përfshirë edhe kreun e Komisariatit të qytetit bregdetar.

”Bregdeti, nga veriu në jug, mbrojtja e territorit është pasuri kombëtare, u përket shqiptarëve”, theksoi ministri, duke bërë apel për hetim të thelluar mbi përgjegjësinë e kujtdo që është përfshirë në rastet e shkeljes së ligjit.

“Nga IKMT janë marrë 67 gjoba, në një vlerë prej 122 milionë lekë, vetëm për një muaj. Sigurisht nga gjobat, kalojmë edhe në referim apo ndjekje penale”, tha Lamallari, duke theksuar se mbrojtja e territorit është prioritet absolut i qeverisë shqiptare.

“Nuk do të neglizhohet asnjë rast, kushdo që shkel uniformën do të përgjigjet një për një para ligjit”, paralajmëroi Lamallari referuar kështu arrestimeve të fundit.

Më tej, u ndal te rritja rekord e numrit të pushuesve, që rrjedhimisht ka çuar në shtimin e masave për të garantuar sigurinë e tyre, nga pikat kufitare e deri te plazhet.

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari ka dalë në konferencë për mediat këtë të mërkurë. Ai po flet lidhur me atë që ka ndodhur me komisariatin e Sarandës, ku janë arrestuar disa efektivë, përfshirë edhe kreun e Komisariatit.

Njoftoi se është shtuar prania policore në territor, e sidomos në zonat turistike.

“Do të kemi patrullime të veçanta dhe shërbime 12-orëshe gjatë periudhës 1 korrik-31 gusht 2026. Do të ngrihen stacione provizore, pranë zonave me interes të lartë turistik, konkretisht në Theth, Valbonë, Koman, Tale, Gjiri i Lalzit dhe Ksamil. Forcim i kontrollit të trafikut dhe menaxhim i fluksit në pikat e kontrollit kufitar si dhe shtim i sporteleve të përpunimit të pasagjerëve në porte dhe aeroporte.”

“Një tjetër lajm që vlen të ndahet me ju është bashkëpunimi i mëtejshëm me Guarda di Finanza, në sajë të kontrollit të territorit, sa i përket veprimtarisë së paligjshme të kanabisit. Nga 1 maji 2026 deri më 31 tetor, janë planifikuar në total 200 orë fluturimi, me 20 orë shtesë nga viti i shkuar, ku konkretisht risi do të jetë përdorimin  e një avioni të veçantë që do të përcjellë në kohë reale koordinatat e ndryshuara”, bëri me dije ministri.

Më tej, u fokusua te siguria në shkolla, për garantimin e së cilës do të implementohet “Smart City”.

Fillimisht plani do të zbatohet në 20 ose 21 shkolla të kryeqyteti, si projekt pilot, e më pas do të shtirhet në të gjithë territorin e Republikës. Sipas ministrit, projekti do të finalizohet vitin e ardhshëm arsimor.

“Po merren masa të posaçme për parandalimin e incidenteve në ambientet e shkollave”, shtoi Lamallari, duke kujtuar edhe rastet e rënda të ndodhura më herët, që kanë përfunduar deri në tragjedi.

“Aktualisht që po flasim po kryhen kontrolle në mjedise të veçanta të shkollave, pikërisht për të garantuar që nuk do kemi raste të tilla. Kemi 330 efektivë në shkolla që bashkëpunojnë në baza ditore me Policinë e Shtetit”, tha ai, duke u bërë thirrje qytetarëve të raportojnë çdo rast.