Përfaqësuesit e kompanisë “Mabco”, në pronësi të biznesmenit të njohur Behgjet Pacolli kanë dalë në një konferencë për mediat, lidhur me përplasjet e ditëve të fundit të cilat kanë sjellë bllokim të punës në aeroportin e Vlorës.

“Është një projekt strategjik për Shqipërinë, turizmin, transportin ajror dhe është çështje imazhi për vendin tonë.

Çdo pengesë dhe heshtje institucionale apo pengim nga ana e institucioneve nuk prek vetëm kompaninë Mabco-n, por qytetarët shqiptarë.”, tha Ornela Çuçi.

Ajo shtoi se kompania “Mabco” kërkon që aeroporti i Vlorës të përfundojë në mënyrë të ligjshme dhe brenda afateve.

Kompanitë “Mabco” dhe “2A Group”, të cilët po kryejnë punimet në aeroportin e Vlorës prej disa muajsh janë në mosmarrëveshje për shkak të pretendimeve për kuotat që zotërojnë në “Vlora International Airport”.

Gërdupi: Policia po mbështet vetëgjyqësinë!

Këto përplasje kanë vonuar vënien në punë të Aeroportit të Vlorës dhe po shtyjnë pa një afat të caktuar edhe inagurimin e tij të programuar për t’u kryer në fund të muajit maj. 

Lidhur me këtë përplasje foli edhe përfaqësuesi ligjor i kompanisë Ili Gërdupi, i cili tha se Policia po mbështet vetëgjyqësinë.

“Policia na ndalon hyrjen, por sipas kontratës VIA merr udhëzime nga ortaku, nuk jep urdhra për shoqërinë mëmë dhe  nuk mund të marrë një vendim të tillë.

Policia duke mbështetur një vendim të tillë pa patur një proces gjyqësor është një masë në kufijtë e vetëgjyqësisë që bie në kundërshtim me Kodin Penal.”, tha Gërdupi.

Inxhinieri: Kemi punuar me gjenerator, na lanë pa drita e pa ujë!

Ndërkohë, gjatë fjalës së tij, inxhinieri Klodian Sala ka deklaruar se mbi 90% të detyrimeve kontraktuale të kompanisë Mabco kanë përfunduar.

Por sipas tij, mungesat vijnë pikërisht nga kompania VIA, e cila nuk i ka përmbushur detyrimet e veta kontraktuale.

“Sot që po flasim për këto sisteme që mungojnë në aeroportin e Vlorës që duhej të përfundoheshin dhe instaloeshin nga VIA, nuk janë bërë. Në portofolin e VIA-s janë futur 65.5 milionë euro, të cilat ishin parashikuar për blerjen dhe instalimin e këtyre sistemeve, gjë që nuk është bërë.

Të gjitha punimet ndërtimore që kanë përfunduar nga Mabco, janë bërë përmes sistemeve me gjenerator, sepse nuk kemi pas furnizim me energji elektrike e as me ujë. Të gjitha këto sigurisht që kanë kosto shumë të larta për ne, por Mabco i ka marrë përsipër, por të gjitha këto sisteme nuk mund të vihen në punë nëse nuk kemi lidhje energjike. Po ashtu nuk kemi lidhje me internetin. Flasim për një objekt të sigurisë së lartë. Të gjitha këto janë pjesë përbërëse dhe nëse në fund të muajit e dorëzojmë si objekt, është shumë e gabuar që këto sisteme mos të jenë funksionale.”, tha Sala, duke theksuar përsëri se Mabco i ka përfunduar proceset dhe detyrimet e saj kontraktuale.