Dita Botërore e Bletëve festohet në nder të Anton Janšës, një pionier i bletarisë, i cili lindi më 20 maj 1734. Qëllimi i kësaj dite ndërkombëtare është të njihet rëndësia e madhe e bletëve dhe pjalmuesve të tjerë për ekosistemin.

Arsyeja pse kjo ditë është kaq e rëndësishme është se pa bletët , pjalmueset kryesore të shumicës së bimëve, nuk do të kishte jetë në tokë. Fatkeqësisht, pavarësisht dhuratave të paçmuara që na ofrojnë, këto insekte të palodhura, shoqërore dhe shumë inteligjente aktualisht janë në rrezik zhdukjeje. Mbrojtja e bletëve është jetike për të gjitha krijesat në planetin tonë. Por, meqenëse ndërgjegjësimi vjen nga dija, le t’i njohim pak më mirë këto insekte interesante.

Ja disa të vërteta tepër interesante rreth bletëve që mund të mos i keni ditur, si dhe disa sugjerime për të ndihmuar në mbrojtjen e tyre.

1. Bletët kanë ekzistuar për më shumë se 100 milionë vjet.

2. Të gjitha kulturat kanë pasur mite rreth bletëve. Ato luajtën një rol të rëndësishëm në lindjen dhe fëmijërinë e Zeusit dhe konsideroheshin lotët e perëndisë egjiptiane të diellit, Amun-Ra. Mjalti dhe bletët përmenden si në Bibël ashtu edhe në tekstet e lashta sanskrite.

3. Regjistrimi i parë i vjeljes së mjaltit është një pikturë shpellash në Spanjë ku njerëzit jetuan 6000-8000 vjet më parë.

4. Pija alkoolike më e vjetër në botë u prodhua në Kinë rreth vitit 7000 para Krishtit dhe bazohej në mjaltë të fermentuar.

5. Qytetërimi i parë që praktikoi në mënyrë sistematike dhe gjerësisht bletarinë ishin egjiptianët në vitin 2500 para Krishtit.

6. Mjalti 3000-vjeçar që ende konsiderohej i ngrënshëm u gjet në varrin e mbretit Tutankhamun kur u hap në vitin 1922.

7. Shën Valentini, përveçse është shenjti mbrojtës i të dashuruarve, është edhe shenjti mbrojtës i bletarëve.