Arrestohet në Barcelonë një i arratisur shumë i rrezikshëm, i kërkuar nga Franca për trafik droge. I dyshuari ishte i armatosur me një pistoletë “gati për të qëlluar”.

Nga German Gonzalez, LA PROVINCIA

Garda Civile spanjolle arrestoi më 8 maj në Barcelonë një shtetas 29-vjeçar me kombësi shqiptare, i konsideruar si “një objektiv me vlerë të lartë policore, i kërkuar ndërkombëtarisht nga Franca dhe Spanja”.

Ai u kap në Passeig de Gràcia dhe mbante me vete një pistoletë Makarov të mbushur me shtatë fishekë dhe “të gatshme për zjarr”, si edhe dokumente false.

I dyshuari kishte në fuqi dy urdhër-arreste europiane për ndalim dhe ekstradim, të lëshuara nga autoritetet franceze për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, si dhe një urdhër arresti nga një gjykatë në Barcelonë për vjedhje automjetesh.

Agjentët e Gardës Civile e ndoqën të dyshuarin derisa arritën ta neutralizonin dhe arrestonin. Ata i sekuestruan një pistoletë të mbushur me origjinë sovjetike, e përdorur për dekada në vendet e ish-bllokut lindor dhe që përdor municion specifik 9×18 mm.

Përveç armës, i dyshuari mbante dokumente false me shtetësi greke, që i përkisnin identiteteve të tjera, si dhe 1.470 euro cash që kishte me vete.

I arrestuari iu paraqit Audiencës Kombëtare përmes lidhjes telematike nga Gjykata e Barcelonës.