Burime nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut bëjnë me dije për Euronews Albania se sot ka thirrur ambasadorin e Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, lidhur me deklaratat e tij publike gjatë periudhës së fundit.
Nga MPJ bëjnë të ditur se në takim nuk ka marrë pjesë ambasadori, por zëvendësambasadori i Shqipërisë.
“I është dorëzuar një demarsh verbal lidhur me deklaratat e papërshtatshme publike të ambasadorit gjatë periudhës së fundit, të cilat lëvizin në kufirin mes komunikimit të zakonshëm dhe legjitim diplomatik dhe ndërhyrjes së mundshme në punët e brendshme të vendit të akreditimit”, thuhet në deklaratën zyrtare të MPJ-së.
Sipas Ministrisë, ambasadori ishte thirrur gjatë ditës së sotme, por në takim ka marrë pjesë zëvendësambasadori.
Reagimi i MPJ-së vjen pas një sërë deklaratash publike të ambasadorit shqiptar, në mbrojtje të studentëve shqiptarë që kërkojnë provimin e jurisprudencës në shqip, qe janë cilësuar si përzierje në punët e brendshme të shtetit.





