Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar lidhur me ndalimin e shtetasit shqiptar Baki Goxhaj, pjesëmarrës në flotiljen “Sumud”, nga autoritetet izraelite.

Në një njoftim zyrtar, MEPJ bën me dije se po e ndjek me vëmendje dhe prioritet situatën e shtetasit shqiptar, i cili është ndaluar së bashku me pjesëmarrësit e tjerë të flotiljes.

Sipas informacioneve zyrtare, Goxhaj është transferuar në Izrael.

Ministria thekson se Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Tel Aviv ndodhet në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet izraelite dhe pritet të zhvillojë së shpejti një takim me Baki Goxhajn.

Qëllimi i takimit është ofrimi i asistencës së nevojshme konsullore, si edhe mundësimi i kthimit sa më të shpejtë dhe të sigurt të shtetasit shqiptar në atdhe.