Ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka është paraqitur ditën e sotme (21 maj) në Prokurorinë e Posaçme.
Në orët e para të pasdites, politikania është shfaqur para institucionit të akuzës, ndërsa është nën hetim dhe akuzë nga SPAK për dosjen voluminoze ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, bashkëshortes së këtij të fundit, Ajola Xoxa, biznesmenëve dhe personave të tjerë.
Pak kohë më parë Bushka i ka kërkuar GJKKO-së që të ndajë dosjen e saj duke e mëvetësuar nga të tjerët për shkak se nuk është më deputete e parlamentit apo zyrtare e lartë dhe nuk përfshihet në ligjet e Kodit Penal për hetim nga Prokuroria e Posçme dhe delegimin drejt Prokurorisë së Tiranës.
Por krahas biznesmenëve të dyshuar si të lidhur me Veliaj dhe bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, SPAK ka marrë në hetim vitin e kaluar (2025) edhe deputeten e Kuvendit të Shqipërisë, Klotilda Bushka.
Për veprime që thotë se kanë penguar hetimin për kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj.
Sipas SPAK, Bushka dyshohet se ka intimiduar dëshmitarët që ishin thirrur nga SPAK. Klotilda Bushka ka marrë kontakte me Ina Goxhaj ish-drejtoreshë ekzekutive e Qendrës ‘Byl-A’, pasi kjo e fundit është thirrur në SPAK.
Ajo e ka thirrur zonjën Goxhaj në shtëpinë e prindërve të saj dhe e ka urdhëruar të mohonte gjithçka gjatë marrjes në pyetje nga SPAK.
Bushka i kërkoi GJKKO-së në muajin prill ndarjen e dosjes dhe gjykim të shkurtuar
Ish-deputetja e PS, Klotilda Bushka, një nga të pandehurat e dosjes “Veliaj”, në muajin prill ka kërkuar gjykim të shkurtuar.
Avokati Henrik Ligori deklaroi se Klotilda Bushka nuk ka pranuar akuzat gjatë hetimit paraprak, duke i konsideruar ato të pabazuara në prova dhe fakte. Avokati Ligori theksoi se gjyqtari i seancës paraprake e ka kaluar çështjen për gjyq, ndërsa mbrojtja kishte kërkuar pushimin e saj në atë fazë.
Në vijim, Ligori konfirmoi kërkesën për gjykim të shkurtuar dhe shtoi kërkesën për ndarje të çështjes, duke argumentuar se GJKKO nuk ka kompetencë vendore për këtë rast dhe propozon dërgimin e çështjes tek një gjykatë tjetër.
“Për të pandehurën Klotilda Bushka, e mbrojtura prej nesh zonja Bushka që në fazën e hetimit paraprak, nuk e ka pranuar akuzën dhe e ka cilësor si të pambështetur në prova dhe fakte. Gjyqtari i seancës paraprake e kaloi çështjen për gjyq, ne kemi kërkuar pushimin e çështjes në atë proces. Së pari konfirmojmë kërkesën për gjykim të shkurtuar, kërkojmë ndarjen e çështjes dhe moskopetencën lëndore të kësaj gjykate dhe dërgimin e çështjes në një tjetër gjykatë. Ne kemi sjell një dokument që Bushka nuk është më deputete”, tha atëkohë avokati Ligori.





