Kryetarja e Komisionit për Median dhe të Drejtat e Njeriut dhe deputetja e PD, Jorida Tabaku, zhvilloi sot një takim me Ambasadorin Jan Braathu, Përfaqësues i OSBE-së për Lirinë e Medias, gjatë vizitës së tij zyrtare në Shqipëri.

Në fokus të takimit ishte situata e medias në vend, kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve, pavarësia editoriale dhe politike e medias, si dhe roli i medias publike në luftën kundër dezinformimit.

Tabaku theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment kritik për lirinë e medias dhe se besimi i publikut ndaj medias dhe gazetarëve po bie për shkak të presioneve, mungesës së transparencës dhe kapjes politike.

Ajo nënvizoi angazhimin e saj për ligjin e ri për median dhe AMA-n, si edhe për reformimin e bordeve të RTSH dhe AMA në bashkëpunim me Këshillin e Europës. Tabaku u ndal edhe te propozimi i saj për heqjen e shpifjes nga Kodi Penal, duke theksuar se ndryshimet nuk u pranuan nga mazhoranca.

“Ligjet nuk mund të shkruhen vetëm për t’u rrëzuar politikisht. Liria e medias nuk është formalitet burokratik, por kusht themelor për demokracinë,” mësohet të jetë shprehur Tabaku.

Në takim u diskutua edhe puna për ligjet kundër padive SLAPP, të cilat pritet të përfundojnë deri në fund të vitit, si një instrument i rëndësishëm për mbrojtjen e gazetarëve nga paditë abuzive.

Tabaku kritikoi gjithashtu praktikën e qeverisë për të përdorur procesin e integrimit europian si justifikim për miratimin e ligjeve me shpejtësi dhe pa debat real.

Ajo theksoi se Shqipëria është sot në një pozicion më të vështirë se disa vite më parë dhe se çështjet e medias, lirisë së shprehjes dhe të drejtave themelore nuk mund të mbeten vetëm në letër.

“Ky proces duhet të jetë real, i prekshëm dhe i ndërtuar mbi standarde europiane. Jo një proces burokratik i mbajtur peng nga qeveria,” tha Tabaku.