Shqipëria vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes së mediave prestigjoze globale për potencialin e saj turistik.

Së fundmi, revista e njohur ndërkombëtare e udhëtimeve, ‘Travel Off Path’, ka përfshirë Ksamilin, në listën e 5 destinacioneve më të mira bregdetare, që çdo turist duhet t’i vizitojë patjetër gjatë këtij sezoni veror.

Sipas artikullit të publikuar nga gjiganti mediatik i udhëtimeve, Shqipëria tashmë është shndërruar në një nga vendet më të nxehta turistike në Europë.

Kjo rritje e jashtëzakonshme i atribuohet çmimeve të përballueshme, historisë së pasur dhe qytezave bregdetare të klasit botëror, ku Ksamili mban kurorën.

Artikulli e përshkruan Ksamilin me epitete si ‘Maldivet e Europës’ ose ‘Maldivet e Mesdheut’,  për shkak të ujit të kristaltë dhe ngjyrës së tij turkez.

Përveç Ksamilit, i cili kryeson këtë listë të 5 perlave të fshehura botërore bëjnë pjesë edhe destinacione të tjera ekzotike si Bonifacio në Korsikë Francë, Sanya në Kinë ,Siargao, Filipine si dhe Ishulli i Pashkëve në Kili.

Fakti që Ksamili renditet krahas destinacioneve nga Azia e largët apo Amerika Latine, konfirmon se bregdeti shqiptar nuk është më thjesht një alternativë rajonale, por një konkurrent me peshë në tregun global të turizmit.