Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar ish-kryetaren e komanduar të Bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj, për korrupsion pasiv, ndërsa fajtor u shpall edhe ndërtuesi Rrok Gega për korrupsion aktiv.
Të dy të pandehurit përfituan pezullim të dënimit me burg dhe u vendosën në shërbim prove.
Sipas vendimit të GJKKO-së, Zyra Islamaj u dënua me 2 vite e 1 muaj burgim për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, por dënimi iu pezullua dhe u konvertua në 2 vite shërbim prove, me kusht që gjatë kësaj periudhe të mos kryejë tjetër vepër penale.
Po ashtu, gjykata vendosi heqjen e së drejtës së Islamajt për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Ndërkohë, ndërtuesi Rrok Gega u shpall fajtor për “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe u dënua me 6 muaj burgim. Edhe për të, GJKKO vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit, duke e vendosur në shërbim prove për 1 vit.
Sipas dosjes, bëhet fjalë për një tender ku Islamaj dyshohet se i kishte kërkuar ndërtuesit Rrok Gega ndërtimin e një ure pranë banesës së motrës së saj, urë e cila nuk ishte parashikuar në projekt. Sipas SPAK, ajo kishte ndërhyrë te ndërtuesi dhe kishte angazhuar edhe teknikun e mirëmbajtjes së rrugëve në bashki.
NJOFTIM PËR MEDIAT
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 15, të viti 2025, në ngarkim të të pandehurve Zyra Islamaj dhe Rrok Gega”.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Flojera Davidhi, Bib Ndreca dhe Atalanta Zeqiraj, me vendimin nr. 42, datë 21.05.2026 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurës Zyra Islamaj për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259, paragrafi i parë të K.Penal dhe dënimin e saj me 2 (dy) vjet e 1 (një) muaj burgim.
2. Në zbatim të nenit 59 të K.Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim, duke e vënë në provë të pandehurën Zyra Islamaj për një periudhë kohore 2 (dy) vjet, me kusht që gjatë kohës së provës e pandehura të mos kryejë vepër tjetër penale dhe gjatë kësaj kohe e pandehura të mbajë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës që mbulon vendbanimin e saj.
3. Në respektim të nenit 35 të K.Penal, heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike, të të pandehurës Zyra Islamaj për një periudhë 5 (pesë) vjeçare.
4. Deklarimin fajtor të të pandehurit Rrok Gega për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244, paragrafi i parë të K.Penal, dhe dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim.
5. Në zbatim të nenit 59 të K.Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim, duke e vënë në provë të pandehurin Rrok Gega për një periudhë kohore 1 (një) vit, me kusht që gjatë kohës së provës i pandehuri të mos kryejë vepër tjetër penale dhe gjatë kësaj kohe i pandehuri të mbajë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës që mbulon vendbanimin e tij.
6. Shpenzimet e fazës hetimore dhe ato gjyqësore sipas formularit bashkëlidhur t’i ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.
7. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit gjyqësor të arsyetuar.





