Në Tiranë u organizua Parada e 14-të e Krenarisë, nën moton “Bashkë për Familjen”.

Aktivistët dhe anëtarë të komunitetit LGBTQI+ përcollën mesazhin për të mos lënë askënd vetëm dhe për të ndalur diskriminimin dhe paragjykimet ndaj këtij komuniteti.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, foli për rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të komunitetit.

“Kjo shkon shumë përtej të drejtave të LGBTQI-së. Ka të bëjë me llojin e shoqërisë që duam të kemi. Por mendoj se ndonjëherë ndodh thjesht sepse njerëzit nuk janë të ekspozuar ndaj këtij realiteti dhe mendojnë, për shembull, se mund t’i edukosh fëmijët të bëhen gay. Jo, domethënë, ti lind ose je gay. Është pjesë e identitetit tënd. Nuk është diçka që mund të ndikohet përmes edukimit. E vetmja gjë që edukimi mund të bëjë është t’i ndihmojë njerëzit të mos kenë frikë nga diversiteti.”-tha ai.

Policia kishte marrë masa për të shmangur incidente të mundshme, ndërsa aktiviteti u zhvillua pa probleme.

Në aktivitet mori pjesë edhe zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, e cila theksoi mbrojtjen e lirisë dhe të drejtave të çdo individi.

Mbrojtja e pakicave dhe e komunitetit LGBTQI+ është trajtuar edhe në raportin e fundit të BE-së për Shqipërinë, të miratuar nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.