Një nga shpendët më të veçantë dhe më të rrallë në botë është pula dhe gjeli i zi i njohur si Ayam Cemani, me origjinë nga Indonezia.

Ky lloj shpendi dallohet për ngjyrën e tij tërësisht të zezë, e cila nuk kufizohet vetëm te pendët, por shtrihet edhe në sqep, lëkurë dhe madje në disa organe të brendshme. Fenomeni shkaktohet nga një mutacion gjenetik i quajtur hiperpigmentim.

Pavarësisht miteve të përhapura, ekspertët sqarojnë se këto pula nuk bëjnë vezë të zeza. Vezët e tyre janë të njëjtë si të pulave të zakonshme, me ngjyrë bezhë dhe peshë rreth 45 gramë.

Meshkujt e këtij lloji peshojnë rreth 2–2.5 kilogramë, ndërsa femrat 1.5–2 kilogramë. Për shkak të pamjes së veçantë, Ayam Cemani shpesh quhet në mënyrë jozyrtare si “Lamborghini i shpendëve” ose “pula goth”.

Sipas studiuesve, ky shpend konsiderohet ndër më të veçantët në botë për shkak të pigmentimit ekstrem, që e bën pothuajse tërësisht të zi.

Studimet gjenetike e lidhin këtë karakteristikë me një ndryshim në gjenin EDN3, i cili kontrollon pigmentimin. Sipas kërkimeve shkencore, ky mutacion mund të ketë origjinë nga një paraardhës i vetëm, i cili më pas u përhap përmes mbarështimit në vende të ndryshme të botës.