Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se në negociatat për Iranin është shënuar “përparim i rëndësishëm”, por theksoi se ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare.
Duke folur për zhvillimet më të fundit, Rubio tha se mund të ketë “lajme të reja më vonë gjatë ditës”, por shtoi se çdo njoftim zyrtar do të bëhet nga presidenti amerikan Donald Trump.
Sipas tij, qëndrimi i SHBA-së mbetet i pandryshuar: “Irani nuk duhet të posedojë armë bërthamore,” një pikë që ai tha se është theksuar vazhdimisht nga administrata amerikane.
Rubio u shpreh se ideja që një marrëveshje do ta vendoste Iranin në një pozitë më të fortë në çështjen bërthamore është “absurde”, duke nënvizuar se negociatat synojnë kufizimin e kapaciteteve bërthamore të Teheranit.
Ai shtoi se diplomacia mbetet rruga e preferuar e Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund konfliktit, duke theksuar se “është bërë progres, por jo progres përfundimtar”.
Rubio la të kuptohej gjithashtu se mund të ketë zhvillime pozitive lidhur me Ngushticën e Hormuzit në orët në vijim, por shtoi se ende ka punë për t’u bërë.
Ai theksoi se objektivat e SHBA-së në operacionet e fundit ushtarake janë përqendruar në dobësimin e kapaciteteve ushtarake të Iranit, përfshirë flotën detare dhe aftësinë për lëshimin e raketave balistike.





