Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thotë se vijojnë kontrollet në burgun e Fierit. Me anë të një njoftimi sqarohet se gjatë kontrolleve të ushtruara nga Forcat Operacionale të DPB-së në ambientet e jashtme pranë godinës “A”, janë konstatuar dhe sekuestruar 10 telefona celularë, 10 karikues, disa bidona të dyshuar me përmbajtje alkoolike, si dhe lëndë e dyshuar narkotike e gjetur në dy vende të ndryshme.

Ndërkohë, gjatë një kontrolli tjetër të kryer nga vetë stafi i IEVP Fier, një i dënuar me inicialet A.M. është konstatuar me pesë qese të vogla të dyshuara me lëndë narkotike, të fshehura në veshje gjatë skanimit.

Pas konstatimit, i dënuari është shoqëruar në ambientet e veçimit, ndërsa janë njoftuar drejtuesit e institucionit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes për vijimin e hetimeve dhe procedurave përkatëse.

Njoftimi:

Vijojnë kontrollet në IEVP Fier

Nga informacioni i marrë në mënyrë operative nga Drejtoria e Analizës dhe Vlerësimit të Riskut në DPB, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, kontrollet për forcimin e masave të sigurisë dhe parandalimin e futjes apo mbajtjes së sendeve të ndaluara kanë vijuar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Fier.

Në kuadër të këtyre masave, Forcat Operacionale të DPB-së kanë ushtruar kontroll në ambientet e institucionit, ku në pjesën e jashtme pranë Godinës “A” janë konstatuar dhe sekuestruar: 10 telefona celularë, 10 karikues telefonash, bidona të dyshuar me përmbajtje alkoolike, si dhe lëndë e dyshuar narkotike e gjetur në dy vende të ndryshme.

Për rastin janë hartuar raportet përkatëse të incidentit dhe procesverbalet e bllokimit, ndërsa është njoftuar Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale për ndjekjen e procedurave të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë një kontrolli të kryer nga strukturat e vetë IEVP Fier, të dënuarit A.M., gjatë verifikimit në skaner, iu konstatuan pesë qese të vogla të dyshuara me lëndë narkotike, të fshehura në pjesën e poshtme të një bluzeje. Pas konstatimit, janë njoftuar drejtuesit e institucionit dhe specialistët e Agjencisë, ndërsa i dënuari është shoqëruar në veçim.