“Plaga” është ende e hapur, për këtë arsye finalja e Kupës së Italisë, Juve-Napoli, në program për t’u zhvilluar këtë të mërkurë në stadiumin “Olimpico”, pritet të jetë e zjarrtë, pavarësisht se do të zhvillohet pa tifozë. Për të ndezur dhe më shumë ambientin ka menduar presidenti De Laurentiis i cili akuzon ish-trajnerin e Napolit, aktualisht në stolin e Juves, Maurizo Sarri:

“Më ka tradhtuar me arsyetimin më vulgar, atë për para”, është shprehur De Laurentiis në një intervistë për “Corriere dello Sport” duke vijuar:

“U largua më këtë arsyetim duke braktisur Napolin, një skuadër që në atë kohë e dashuronte e gjithë Italia dhe Europa. Kur unë zgjodha Sarrin në stolin e Napolit qyteti u mbush me shkrime kundër meje”, kujton De Laurentiis të cilin këtë të mërkurë e sfidon pikërisht trajneri që famën e mori në drejtimin të ekipit të tij.

Kjo është një provë e madhe edhe për vetë Sarrin i cili në sezonin e tij të parë në krye të Juventusit ka ngjallur shumë dyshime, është trajneri i duhur për t’i dhuruar “Zonjës së Vjetër” trofe të rëndësishëm.