Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se negociatat mes SHBA-së dhe Iranit mbeten “ende një punë në zhvillim e sipër”, duke treguar se ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare mes palëve.

Gjatë një vizite në Indi, Rubio u tha gazetarëve në New Delhi se administrata amerikane kishte shpresuar për zhvillime të rëndësishme gjatë natës, por theksoi se procesi kërkon më shumë kohë. “Menduam se mund të kishim ndonjë lajm mbrëmë. Nuk do t’i kushtoja shumë rëndësi. Do të duhet pak kohë për të marrë përgjigje”, deklaroi ai.

Rubio tha se në tryezën e negociatave ekziston një propozim “mjaft i fortë” që lidhet me rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe nisjen e negociatave të kufizuara në kohë për programin bërthamor iranian. Sipas tij, marrëveshja e mundshme gëzon mbështetje të gjerë nga vendet e Gjirit dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.

Sekretari amerikan përsëriti gjithashtu qëndrimin e Presidentit Donald Trump, duke thënë se ai “nuk ka nxitim” dhe nuk do të pranojë një marrëveshje që konsiderohet e dobët për SHBA-në. “Ose do të kemi një marrëveshje të mirë, ose do të na duhet ta trajtojmë në një mënyrë tjetër”, u shpreh Rubio.

I pyetur nëse Libani do të përfshihet në marrëveshjen e mundshme, Rubio konfirmoi se bisedimet mes Izraelit dhe Libanit po vazhdojnë paralelisht me negociatat kryesore mes Uashingtonit dhe Teheranit.