Një tjetër punonjës i sektorit të Urbanistikës në bashkinë e Durrësit ka rezultuar pozitiv me koronavirus.

“DurrësLajm” mëson se nga tamponët e marrë dy ditë më parë të punonjësve që kishin pasur kontakte me të afërta me kolegen e tyre që doli pozitive me Covid-19 në fundjavë, vetëm një prej tyre është konfirmuar rast i prekur, i cili nuk kishte asnjë simptomë.

Nuk dihet ende nëse ky punonjës është infektuar nga kolegia e tij, apo e ka marrë nga transmetimi komunitar, ndërkohë që vijon puna e epidemiologëve në terren për gjurmimin e rasteve.

Pavarësisht se pjesa tjetër e punonjësve kanë rezultuar negativë, duhët të qëndrojnë të vetëkarantinuar për dy javë.

Mëngjesin e sotëm, përveç sektorit të Urbanistikës që është mbyllur dhe i gjithë personeli i saj duhet të qëndrojë në karantinë në banesë, sektorët e tjerë të bashkisë janë hapur për publikun.

Nga të dhënat e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë publikuar dje, aktualisht në Durrës janë 20 persona aktivë, ndërsa në rang vendi 441, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë.