Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, dhe ministri i Jashtëm armen, Ararat Mirzoyan, nënshkruan të martën një marrëveshje partneriteti strategjik në Jerevan, vetëm pak ditë para zgjedhjeve parlamentare në Armeni.

Vizita e Rubios në kryeqytetin armen erdhi pas një turi diplomatik në Suedi dhe Indi, ndërsa fokusi kryesor ishte avancimi i projektit të korridorit tranzit TRIPP (Rruga Trump për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar), i cili synon të lidhë Azerbajxhanin me enklavën e Nakhçivanit përmes territorit armen.

Marrëveshja për korridorin ishte miratuar më herët në një samit ku morën pjesë kryeministri armen Nikol Pashinyan, presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev dhe presidenti amerikan Donald Trump.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit në aeroportin e Jerevanit, Rubio deklaroi se marrëveshja përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të paqes dhe prosperitetit në rajon. Ai theksoi gjithashtu se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Armenisë po zgjerohen edhe në fusha të tjera strategjike.

Dy zyrtarët nënshkruan gjithashtu një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në sektorin e mineraleve kritike.