Besimtarët myslimanë në mbarë botën festojnë sot Kurban Bajramin.
Në të gjithë vendin, besimtarët myslimanë e kanë nisur kremtimin e kësaj feste të shenjtë që në orët e para të mëngjesit duke iu drejtuar xhamive për të falur Namazin.
Në Durrës, dhjetëra besimtarë myslimanë falën Kurban Bajramin në ambientet e brendshme të xhamisë dhe ato të jashtme si dhe në sheshin “Liria” në orën 06.15.

Kurban Bajrami njihet si festë e sakrificës dhe është një prej festave me të rëndësishme në kalendarin islam.
Kjo ditë sipas besimtarëve mysliman buron nga dashuria, bindja dhe durimi i njeriut ndaj Krijuesit të gjithësisë. Nis nga sprova e dy Profetëve, Ibrahimit dhe djalit të tij Ismailit.
Sipas myslimanëve, Zoti i kërkoi Ibrahimit të bënte kurban djalin e tij të vetëm në shenjë bindje ndaj Allahut.
Profetët pranuan urdhërin e Zotit, por në momentin që Ismaili do të flijohej Zoti urdhëroi Ibrahimin që mos e vriste të birin. Ai i dhuroi atij një dash për ta bërë Kurban në vend të djalit.
Sipas besimtarëve mysliman, Krijuesi e pranoi sakrificën e Ibrahimit dhe e konsideroi atë mik të tij duke i dhënë një vlerësim të jashtëzakonshëm.
Në përkujtim të kësaj ngjarje besimtarët myslimanë shprehin devotshmërinë duke bërë kurban kafshë të ndryshme e duke e ndarë atë me fqinjët dhe njerëzit në nevojë.
“DurrësLajm” iu uron të gjithë besimtarëve gëzuar Kurban Bajramin!





