Sezonin 2025-2026 u mbyll me skuadrën e Teutës në luftë për mbijetesën dhe me një fitore minimale në play-out ndaj Pogradecit që i siguroi qëndrimin në elitë. Por në klubin durrsak po bëjnë plane që në sezonin e ardhshëm të luftohet për objektiva krejtësisht të ndryshëm nën drejtimin e Edlir Tetovës. Për të bërë të mundur idenë e lojës së teknikut, do të bëhen lëvizje të mëdha në merkato dhe janë piketuar emra të rëndësishëm të futbollit shqiptar, me të cilët ka bisedime konkrete. Kërkohet që të ndërtohet një ekip që dhuron lojë e për këtë arsye, janë kontaktuar dy nga emrat me të njohur në futbollin tonë aktualisht, Sherif Kallaku dhe Dejvi Bregu.

Të dy janë ende në aktivitet, përkatësisht me Vllazninë dhe Dinamon, në pritje të mbylljes së “Final Four”. Bregu është lojtar i lirë pas përfundimit të këtij sezoni dhe mund t’u bashkohet durrsakëve me të cilët ka luajtur edhe në sezonin 2020-2021 kur fitoi edhe titullin kampion. Ndryshe është situata për Kallakun, i cili ka firmosur deri në verën e vitit 2027 me shkodranët dhe nuk do të mund të transferohet pa miratimin e kuqebluve. Por edhe vijimësia e tij në Shkodër varet nga projekti i ri i klubit, duke pasur parasysh se gjatë kësaj vere priten shumë lëvizje. Ndaj gjithçka mbetet e hapur për një eksperiencë të katërt të tij në radhët e Teutës me të cilën ka luajtur në tre periudha të ndryshme në karrierën e tij. Mes palëve ka pasur bisedime paraprake, teksa më hollësisht pritet të diskutohet sapo klubet përkatëse të të dy futbollistëve të mbyllin këtë javë pjesëmarrjen në “Final Four”.