Reperi Kleviol Ahmetaj, i njohur me nofkën “Cllevio”, u paraqit këtë të enjte në mesditë në ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku pritej të dëshmonte në gjyqin ndaj Laert Haxhiut në lidhje me episodin e vendosjes së tritolit në dyqanin e reperit Noizy në Durrës, por seanca u shty.
Në dalje të seancës, Cllevio deklaroi se shtyrja erdhi pasi, sipas tij, dëshmitarët e tjerë ishin të zënë me punë. “Seanca u shty sepse pala e dëshmitarëve të tjerë janë të zënë me punë. Edhe unë do t’i shtyj sa herë të jem i zënë me punë”, u shpreh ai.
Ai tha gjithashtu se ka miqësi të afërt me Laert Haxhiun dhe pranoi konfliktet që ka pasur me Noizy-n. “Laert Haxhiun e kam shok të ngushtë. Kam pasur konflikte me Noizy-n. Unë jam palë e dëmtuar këtu, me grushte”, deklaroi Ahmetaj.
Duke komentuar dëshminë e babait të Noizy-t, Bashkim Rajku, Cllevio u shpreh: “Babai i tij vjen këtu dhe thotë se nuk më njeh mua. Ai është baba shembullor dhe duhet të mbajmë përgjegjësi për çfarë ka ndodhur jo të thotë se nuk më njeh”.
Më tej, ai pretendoi se është sulmuar fizikisht dhe se lëviz me mjete të blinduara nga frika e atentateve. “Më kanë gjuajtur. Unë heci me blinda nga frika e Noizy-t, sepse ai paguan lekë për të më vrarë”, tha Ahmetaj, duke shtuar se këto shqetësime i ka raportuar edhe më herët.
Sipas tij, konflikti me reperin ka nisur përmes rrjeteve sociale. “Kam pasur një konflikt sepse e kam sharë në mënyrë artistike dhe nëpërmjet rrjeteve sociale. E kam sharë siç shahen njerëzit ose siç shahen në Parlament”, deklaroi ai.
Cllevio tha se është i hapur për pajtim, duke treguar se i ka bërë thirrje edhe kryeministrit që të ndërhyjë. “Kam bërë thirrje edhe kryeministrit të më pajtojë, por nuk më është përgjigjur”, u shpreh ai.
Në fund, Ahmetaj kërkoi që Noizy të paraqitet në gjykatë dhe të mos shtyhen më seancat. “Kam thirrje që ai të vijë në gjyq këtu dhe të mos na i shtyjë seancat. Të vijë të dëshmojë çfarë ka për të dëshmuar dhe të ikim secili në punën e vet”, përfundoi ai.
“Kjo seancë u shty, sepse pala e dëshmitarëve të tjerë janë të zënë me punë dhe unë, tha ai, do t’i shtyj sa herë të jemi të zënë me punë. Laert Haxhiun e kam shok të ngushtë. Kam pasur konflikte me Noizyn. Unë jam palë dëmtuese këtu, jam goditur me grushte. Babai i atij vjen këtu dhe thotë se s’më njeh mua. Ai është baba shembullor dhe duhet të mbajmë përgjegjësi këtu. Çfarë ka ndodhur, ka ndodhur. Më ka goditur, më ka goditur me çunat e burgut. Këtë e kanë goditur me tritol, di gjë unë çfarë problemesh ka ky? Unë lëviz me makina të blinduara nga frika e Noizyt, sepse ai paguan lekë për të më vrarë. I kam raportuar dhe këto i di edhe Stresi. Nuk i kam kallëzuar këto, sepse mua nuk m’i marrin parasysh, këtij ia marrin. Kam pasur një konflikt që e kam sharë në mënyrë artistike dhe nëpërmjet rrjeteve sociale. E kam sharë siç shahen njerëzit ose siç shahen në Parlament. Mundësi pajtimi ka. I kam bërë thirrje edhe kryeministrit të më pajtojë, por nuk më është përgjigjur. Kam thirrje që ai të vijë në gjyq këtu dhe të mos na i shtyjë seancat, të vijë të dëshmojë çfarë ka për të dëshmuar dhe të iki edhe unë në punën time, që të mos dëshmoj unë se mungon ai. Herën tjetër do mungoj unë kur të vijë ai. Kështu që të vijë këtu dhe të përballet, të japë intervistat, të thotë për këto çfarë ka ndodhur dhe a do gjejmë zgjidhje apo jo. Mua më thanë: ‘Hajde paraqitu dhe do vij’”, tha Ahmetaj.





