Drejtoria e Tatimeve ka njoftuar se i kanë sekuestruar një qytetari tetë automjete luksoze, pasi nuk ka paguar detyrimet tatimore prej dhjetorit të vitit 2024. Sipas njoftimit zyrtar, vlera e detyrimeve të papaguara është 6.4 milionë euro. Konkretisht, Drejtoria e Tatimeve i ka sekuestruar makina si McLaren, Mercedes-Benz dhe BMW.
“Administrata Tatimore rikujton se masat shtrënguese do të vijojnë ndaj të gjithë tatimpaguesve që nuk përmbushin detyrimet ligjore, përfshirë subjektet e referuara në Prokurori dhe ata që krijojnë detyrime të reja tatimore pas datës 31.12.2024, të cilat nuk përfitojnë nga ligji për fshirjen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore.
Në kuadër të këtyre masave, strukturat e specializuara të Administratës Tatimore kanë kaluar nga bllokimi i llogarive bankare në sekuestrimin e aseteve të debitorëve, deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve. I tillë është rasti i një tatimpaguesi në Tiranë me detyrime tatimore të papaguara në vlerën 6.4 milionë euro, të cilit i janë sekuestruar 8 automjete luksoze, mes tyre McLaren, Mercedes-Benz dhe BMW. Administrata Tatimore do të vijojë pa kompromis zbatimin e masave shtrënguese ndaj çdo subjekti që shmang përmbushjen e detyrimeve tatimore,” thuhet në njoftimin zyrtar.





